MASHT

MINISTRI BYTYQI DHE REKTORËT E UNIVERSITETEVE DHE KOLEGJEVE DISKUTUAN RRETH QASJES NË “ERASMUS+”

19 Prill, 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka takuar rektorët e universiteteve publike dhe kolegjeve private, me të cilët ka diskutuar rreth qasjes në programin “Erasmus +”, në mënyrë që institucionet tona të arsimit të lartë të mund të përfitojnë sa më shumë nga ky program.

Ministri Bytyqi, ritheksoi se, programi “Erasmus +” është shumë i rëndësishëm sa i përket mobilitetit të studentëve, profesorëve dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, ndërsa shtoi se, qëllimi i takimit është koordinimi i veprimeve, në mënyrë që të sjellim sa më shumë fonde në Kosovë.

“MAShT është e gatshme që, në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, të hartojë politika që do të ndikonin direkt në ngritjet e kapaciteteve profesionale të stafit akademik brenda institucioneve tona”, theksoi Ministri.

Në fund të takimit, ministri Bytyqi dhe përfaqësuesit e universiteteve u dakorduan që të formohet një grup punues me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve të arsimit të lartë, i cili do të merret me trajtimin e problemeve në implementimin e projekteve aktuale, si dhe me hartimin e një plani të veprimit, në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë fonde nga programi “Erasmus+”.

Last modified: 9 Qershor, 2022

Comments are closed.