MASHT

USAID-I DO TË VAZHDOJË MBËSHTETJEN PËR ARSIMIN NË KOSOVË

15 Qershor, 2021

Gjendja aktuale në të gjitha nivelet e arsimit, planet për ta zhvilluar arsimin dhe kontributi i partnerëve zhvillimorë në këtë drejtim, ishin temat kryesore që u diskutuan në takimin që ka pasur sot ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me drejtoreshën e Misionit të USAID-it, Lisa Magno dhe zyrtarin për ndërmarrje private dhe përgjegjës për fushën e edukimit dhe rinisë, Matthew Cullinane.

Në këtë takim, u vu theksi te arsimi dhe aftësimi profesional, respektivisht bashkëpunimi me bizneset, me ç’rast ministrja Nagavci theksoi se planifikohet rishikimi i programeve, për t’iu përshtatur nevojave të tregut të punës.

Ajo, po ashtu shtoi se, po shqyrtohen disa modele të sistemit dual të arsimit dhe aftësimit profesional, meqë ky sistem mundëson që nxënësit të krijojnë shkathtësi dhe të jenë kompetent për tregun e punës.

Ministrja Nagavci e falënderoi drejtoreshën Magno për investimet e shumta që ka bërë dhe po bënë USAID-i në arsim, e të cilat janë shumë të rëndësishme për sigurimin e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.

Drejtoresha e Misionit të USAID-it konfirmoi gatishmërinë e kësaj organizate për të vazhduar bashkëpunimin dhe premtoi mbështetje për Ministrinë në arritjen e qëllimeve dhe realizimin e planit qeveritar për arsimin.

Gjatë takimit u bisedua edhe për shumë çështje që kanë të bëjnë me trajnimin e mësimdhënësve, zhvillimin e kurrikulave, digjitalizimin në arsim, mbështetjen e të rinjve me bursa për studime jashtë vendit, por edhe për mundësitë e kyçjes më të madhe të diasporës sonë në arsim dhe shkencë në Kosovë.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.