MASHT

PËRMBYLLET “JAVA KUNDËR BRAKTISJES SË SHKOLLËS”

30 Nëntor, 2021

30 Nentor 2021

Pas një varg aktivitetesh që promovojnë të drejtën për arsim, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përgjegjëse për zhvillimin dhe monitorimin e zbatimit të politikave për parandalimin dhe reagimin ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit në shkollë, ka organizuar sot Tryezën e diskutimeve për t`i vlerësuar veprimet e përbashkëta dhe për të marrë zotimin për vazhdimësinë e përpjekjeve, në zbatim të legjislacionit që adreson mundësi të barabarta dhe qasje gjithëpërfshirëse në arsim cilësor.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në fjalën e saj të rastit ka theksuar se, parandalimi dhe reagimi ndaj braktisjes është domosdoshmëri  brenda obligimeve institucionale, për të siguruar trajtimin e duhur të barrierave të qasjes në arsim  dhe shmangien e shkëputjes nga sistemi të cilitdo fëmijë.

Ministrja Nagavci ka vlerësuar se, obligim i Ministrisë së Arsimit dhe i secilës hallkë të institucioneve arsimore është që të motivojë dhe sigurojë vijimin e rregullt të shkollës për fëmijët tanë dhe të garantojë zhvillimin  e tyre të plotë, siç e kërkojnë normat ndërkombëtare dhe politikat tona arsimore.

Nagavci ka folur edhe për rëndësinë e raportimit të saktë të shkollave dhe komunave në orintimin e duhur të politikave nacionale dhe koordinimin e duhur me ministritë tjera përgjegjëse, në të mirë të fëmijëve dhe brezave të rinj.

Kozeta Imami, zyrtare për arsim në Zyrën e UNICEF-it në Kosovë tha se, UNICEF meqë e ka për bazë të drejtën e fëmijës për arsim sipas ligjeve ndërkombëtare, për vite të tëra është munduar të jetë sa më afër Ministrisë së Arsimit, komunave dhe shkollave në mënyrë që të jap kontributin e vet në luftën kundër braktijes së shkollës.

Në fund të ceremonisë janë ndarë shpërblime për shkollat të cilat janë cilësuar të sakta në raportimet e tyre gjatë vitit shkollor 2020/21.

Last modified: 6 Qershor, 2022

Comments are closed.