MASHT

NESËR MBAHET TESTI I MATURËS SHTETËRORE 2010

4 Qershor, 2010

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM), ka mbajtur sot një konferencë me gazetarë ku ka bërë të ditura detaje rreth organizimit të provimit shtetëror të maturës, i cili do të mbahet nesër, datë 5 qershor.

Kryetari i KQSHM-së, Nehat Mustafa, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për testin e maturës dhe se testet në qendrat e testimit do të dërgohen, nesër duke filluar nga ora 6 e mëngjesit.

Ai theksoi se 27 mijë e 424 nxënës do t’i nënshtrohen provimit të maturës, i cili do të mbahet nesër në 105 qendra testimi (1600 dhoma testimi), në 29 komuna të Kosovës, duke filluar nga ora 10:00, ndërsa maturantët duhet të jenë një orë së paku më herët në vendin e mbajtjes së testit, derisa testi do të zgjasë 180 minuta.

Testit do t’i nënshtrohen edhe nxënësit,të cilët nuk kanë arritur ta kalojnë nga viti paraprak apo edhe më herët. “Numri i nxënësve, të cilët e kanë paraqitur provimin e maturës po flas gjithmonë për nxënësit, të cilët janë pjesë e listave, të cilat i kanë dërguar në Ministri drejtoritë komunale të arsimit është 27 mijë e 424. Këta janë maturantë të rregullt të këtij viti, por janë edhe një pjesë e maturantëve të cilët kanë dështuar gjatë maturës 2008, apo maturës 2009”, tha Mustafa.

Për mbarëvajtjen e këtij testit të maturës janë angazhuar rreth 3200 administrues dhe vëzhgues, por Mustafa bëri të ditur se edhe një numër prej rreth 10 për qind janë lënë si pjesë rezervë, në mënyrë që nëse për ndonjë arsye mungon ndonjë administrues, të jetë mundësia e zëvendësimit të tij të menjëhershëm.

Po, ashtu për mbarëvajtjen e testit do të kujdesen edhe 354 komisionerë, 105 monitorues dhe 50 monitorues qendror (ministri dhe kabineti i tij, anëtarët e KQSHM-së, drejtorët e departamenteve dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës – Komisioni për arsim).

Këtë vit janë përgatitur 8 lloj teste në 3 gjuhë (shqipe, boshnjake dhe turke) si dhe 1 drejtim në gjuhën angleze (sipas kërkesave)

Last modified: 23 Gusht, 2022

Comments are closed.