MASHT

MINISTRJA NAGAVCI NË “JAVËN E ALBANOLOGJISË” PREMTOI MBËSHTETJE PËR PUNËN KËRKIMORE SHKENCORE

21 Qershor, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka shprehur gatishmërinë e saj dhe të Qeverisë për të mbështetur punën kërkimore-shkencore. Kështu u shpreh ajo në fillimin e punimeve të “Javës së Albanologjisë”, e cila nën organizimin e Institutit të Albanologjisë të Prishtinës do të trajtojë çështje të rëndësishme në gjuhësi, etnomuzikologji, folkloristikë, letërsi, etnologji dhe histori.

Për realizimin e kësaj mbështetjeje, ministrja tha se, po punohet edhe në aspektin ligjor por edhe në planifikim të rritjes së buxhetit.

Në këtë konferencë, e dymbëdhjeta me radhë, ministrja Nagavci tha se “Java e Albanologjisë” është një ngjarje me interes të veçantë, ashtu siç janë edhe vet studimet e albanologjisë dhe se është obligim i ynë që të punojmë në intensifikimin e shkencës së albanologjisë dhe ndërkombëtarizimin e saj.

Ministrja theksoi se duke qenë një popull i lashtë, populli shqiptar brenda vetes ngërthen kultura e tradita të shumta, andaj sa më shumë që gjurmojmë rreth të kaluarës, traditave, gjuhës, letërsisë dhe artit, aq më i zhvilluar do të jetë koncepti për historinë tonë.

Ministrja uroi që konferencat e tilla të shërbejnë si motiv për studiuesit që të trajtojnë dimensione të reja albanologjike, dhe t’i prezantojnë rezultatet shkencore të albanologëve para një opinioni shkencor profesional.  

Punimet e kësaj konference i kanë përshëndetur edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

Në hapjen e “Javës së Aplanologjisë”, Instituti Albanologjik shpalli anëtar nderi personalitetin e shquar të gjuhësisë, akademikun Jani Thomai, veprimtaria shkencore e të cilit u vlerësua lartë.    

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.