MASHT

MINISTRJA NAGAVCI FOLI PËR PUNËN QË ËSHTË BËRË NË ARSIM PREJ SE KA MARRË DETYRËN

11 Qershor, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka folur sot për të arriturat dhe punën që është bërë në arsim, prej se ajo ka marrë detyrën për ta udhëhequr këtë dikaster. Ndërsa, ka bërë të ditur se është vendosur që, përveç komunikimit të përditshëm, të mbahen konferenca të rregullta çdo dy javë, në mënyrë që mediat dhe qytetarët të marrin përgjigjie për të gjitha temat dhe çështjet që kanë të bëjnë me arsimin.

Ministrja Nagavci ka folur për vendimin për mësimin plotësues për nxënësit që kanë ngecje në arritjen e rezultateve si pasojë e pandemisë COVID-19, e ku janë përfshirë gjithsej 117.575 nxënës, ndërsa tha se është organizuar mësimi alternativ i përshpejtuar për 441 nxënës të 3 shkollave dhe dy paraleleve të Komunës së Kamenicës.

Sa i përket arsimit parauniversitar, Ministrja ndër të tjera ka përmendur rishikimin e metodologjisë dhe formulës së financimit të arsimit parauniversitar, në mënyrë që të sigurohet një financim stabil për shkollat, duke bërë të mundur zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër klasa dhe një cilësi më të mirë të mësimdhënies dhe të nxënit.

Në arsimin e lartë, ministrja Nagavci përmendi emërimit e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), procedurë e cila është në përfundim. Ndërsa, ajo tha se janë duke u marrë hapat e nevojshëm për ndërtimin e kapacitetit të AKA-së, duke shtuar numrin e personelit të saj për t’u siguruar një monitorim i vazhdueshëm i respektimit të kushteve të akreditimit nga institucionet e arsimit të lartë.

Në bashkëpunim me universitetet publike, Ministrja tha se janë duke u ndërmarrë masa që kuotat për regjistrimin e studentëve të rinj të jenë në përputhje me nevojat e tregut të punës.

Sa i përket financimit për veprimtarinë kërkimore-shkencore, ministrja Nagavci tha se është në proces emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, i cili nuk ka funksionuar nga viti 2011 dhe ky Këshill do ta hartojë Programin Kombëtar të Shkencës, përmes të cilit do të sigurohet financim stabil i veprimtarisë kërkimore-shkencore në vend.

Po ashtu, Ministrja tha se pas negociatave të zhvilluara me Komisionin Evropian pritet që Kosova të fitojë statusin e asociuar në Horizon Europe, programin për financimin e kërkimit dhe inovacionit të Bashkimit Evropian me buxhet të përgjithshëm prej 95.5 miliard euro.

Ministrja përmendi edhe vendimin për ndarjen e 90 bursave për nxënës të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) në drejtimet deficitare, si dhe bursa për vajza në drejtimet teknike. Po ashtu, ajo tha se është lansuar projekti “Fondi i Sfidave për Kosovën” (KCF), ku Qeveria Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) ka bërë thirrjen e parë për shprehje të interesit për grante, projekt ky që implementohet nga MASHTI dhe nga ky fond prej 7 milion eurosh i cili pritet të implementohet deri më 2025, parashihet financimi i rreth 20 projekteve apo konsorciumeve mes Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe bizneseve.

Për vlerësimet e jashtme të nxënësve, ministrja Nagavci, ndër të tjera tha se janë në përfundim përgatitjet për mbajtjen e Testit të Maturës, ndërsa foli edhe për përgatitjen e teksteve shkollore për vitin shkollor 2021/22, për klasat (III, VIII dhe XII), të cilat janë në proces.

Ministrja Nagavci përmendi edhe shumë dokumente, projekte e aktivitete që janë në proces nga ana e Ministrisë, por edhe në bashkëpunim me partnerët zhvillimorë, e që rregullojnë çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me mësimdhënien, mësimnxënien, edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, mbështetjen përmes bursave.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.