MASHT

MINISTRI BYTYQI PRITI NË TAKIM UDHËHEQËSEN E “WORLD VISION” – BALLKANI PERËNDIMOR

23 Tetor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti drejtoren kombëtare të organizatës “World Vision”- Ballkani Perëndimor (Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë ), znj. Eljona Boce Elmazi, me të cilën bisedoi për mundësitë e implementimit të programeve të përbashkëta, me fokus të veçantë ato që ngritin shkathtësitë e fëmijëve dhe të rinjve për jetën dhe punën, por edhe nxisin mobilizimin e shkollave dhe komunitetit për përmirësimin e cilësisë në arsim.

Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka falënderuar drejtoren Elmazi për angazhimin dhe përkushtimin e saj që të ofrojë bashkëpunimin dhe mbështetjen e “World Vision” në përmirësimin e cilësisë në arsim, zbatimin e reformave, forcimin e bashkëpunimit me komunitetin dhe aspekte të tjera me interes për të rinjtë.

Ministri Bytyqi theksoi se, do të ishte me interes që me programet e tyre, veç tjerash, të ndihmojnë në procesin e edukimit në fëmijëri të hershme nga mosha 1-5, pasi që tha se aktualisht nuk kemi mundësi që të arrijmë shkallën e dëshiruar prej 95 për qind të përfshirjes së fëmijëve në këtë nivel edukimi dhe mbështetja në këtë aspekt do të ishte shumë domethënëse.   

Ministri theksoi angazhimin që në partneritet me donatorët e arsimit të përmirësohet kjo gjendje, të ngritet shkalla e përfshirjes së fëmijëve në këtë nivel edukimi, porse tha se, aktualisht nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

Ministri Bytyqi, po ashtu tha se, është e nevojshme që të ngritet shkalla e vetëdijesimit të prindërve për rëndësinë e edukimit në fëmijëri të hershme, sidomos në viset rurale, dhe tha se ky mentalitet duhet të ndryshojë krahas krijimit të kushteve kudo në Kosovë.

Drejtorja Eliona Boce Elmazi, e njoftoi ministrin Bytyqi për misionin dhe mundësitë që ka “World Vision” – Ballkani Perëndimor përmes programeve për të rinjtë shkollarë dhe theksoi se bashkëpunimi me MAShT–in dhe shkollat është më se i nevojshëm.

Sipas drejtores Elmazi, “World Vision”, veç tjerash, ka në program edhe aspekte sociale e shëndetësore të fëmijëve, sidomos të atyre me nevoja të veçanta, ndërsa shprehu gatishmërinë për ta mbështetur edukimin në fëmijëri të hershme.

Last modified: 10 Qershor, 2022

Comments are closed.