MASHT

MINISTRI BYTYQI PRITI NË TAKIM SHEFIN E UNICEF-IT, MURAT SAHIN

17 Korrik, 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim shefin e UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, me të cilin ka biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në mbështetje të edukimit në fëmijëri të hershme dhe kujdesit për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ministri Bytyqi e ka falënderuar UNICEF-in për bashkëpunimin e deritanishëm dhe theksoi se, MAShT është angazhuar për një përfshirje sa më të madhe të edukimit të fëmijëve në fëmijëri të hershme.

Ministri Bytyqi gjithashtu tha se, tashmë do ti kemi edhe 100 asistentë për mbështetje në mësimdhënie fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla, ndërsa shtoi se, do të angazhohemi që të sigurojmë buxhet për shtimin e nga 100 asistentëve për çdo vit.

Në këtë kontekst, ministri Bytyqi tha se, komunat janë duke bërë evidentimin e nevojave që kanë për asistentë të tillë dhe së shpejti do të kemi të definuara gjërat.

Ministri Bytyqi përmendi edhe mundësinë e angazhimit të studentëve vullnetarë në cilësinë e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta të Fakultetit të Edukimit, të cilët janë në vitin e fundit ose kanë mbaruar studimet.

Ndërsa, shefi i UNICEF-it, Murat Sahin e falënderoi ministrin dhe MAShT-in për bashkëpunim në realizmin e projekteve që janë me interes për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve në Kosovë.

Last modified: 9 Qershor, 2022

Comments are closed.