MASHT

MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË LANSIMIN E PROGRAMIT “SHKOLLAT E SHEKULLIT 21”

12 Mars, 2019

12 Mars 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bashkë me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell dhe drejtorin e Edukimit për Evropën në British Council, Richard Everitt, kanë marrë pjesë në lansimin e Programit për Shkollat e Shekullit 21 në Ballkanin Perëndimor, i cili ka për qëllim rritjen e perspektivës për punësim dhe përmirësimin e praktikave në klasë.

Me këtë rast, janë zhvilluar disa aktivitete, ku ministri Bytyqi bashkë me ambasadorin O’Connell kanë marrë pjesë. Ata fillimisht kanë qëndruar në vendin ku kanë prezantuar klubet koduese, e më pas kanë takuar ekipet dhe mësimdhënësit e tyre, ku është dhënë rasti për të mësuar më shumë për projektet dhe përvojën e tyre me micro;bit, ndërsa kanë dëgjuar edhe prezantimin e shkollave pjesëmarrëse në fazën pilot të Programit gjatë vitit 2018.  

Në fillim të ceremonisë së hapjes së këtij Programi, fillimisht ka përcjellë urimet e tij ministri për Evropë Sir. Alan Duncan. Ndërsa, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, ndër të tjera theksoi se se ky është programi më i madh i Britanisë në arsimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.  

Ministri Bytyqi, me këtë rast theksoi se, ky është një projekt me rëndësi të madhe për sistemin arsimor dhe falënderoi Britaninë e Madhe për këtë mundësi që po ua jep nxënësve tanë.

“Ne themi me mburrje se në Kosovë e kemi një pasuri të madhe dhe kjo është rinia jonë. Por, kësaj rinie ne duhet t’i ofrojmë mundësi që t’i pajisim me shkathtësi të nevojshme dhe konsideroj se shkathtësitë që po iu ofrohen me këtë projekt janë mundësia më e mirë që të rinjtë tanë të përgatiten jo vetëm për të ardhmen e tyre, por edhe për të ardhmen e vendit tonë”, tha ministri Bytyqi.

Ministri theksoi se, MAShT është shumë e angazhuar në këtë projekt bashkë me British Council, në mënyrë që projekti të jetë i suksesshëm përgjatë tri viteve që do të zbatohet në shkollat e Kosovës, por tha se bashkë me ekspertët po shqyrtohet mundësia që kjo pjesë të futet edhe në kurrikulë të klasës së tetë, pra të jetë një projekt i vazhdueshëm që do t’iu ofrojë këtë mundësi nxënësve për përgatitjen e tyre.  

Programi “Shkollat e shekullit 21 është një program edukativ, në vlerë prej 10 milion funtave, i cili është dizajnuar nga British Council dhe është financuar nga Qeveria e Britanisë. Programi do t’iu ofrojë mbi 1 milion nxënësve të moshës 10-15 vjet nga Balkani Perëndimor shkathtësi në mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodim.    

Last modified: 9 Qershor, 2022

Comments are closed.