Ministri Bytyqi bëri publik raportin e vlerësimit ndërkombëtar të nxënësve PISA 2018

03 Dhjetor 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka bërë publik raportin e vlerësimit ndërkombëtar të nxënësve PISA 2018, me ç’rast bëri të ditur se, Kosova ka ngritje pozitive në lexim dhe matematikë, krahasuar me testin e vitit 2015, ndërsa rënie e lehtë e rezultateve janë shënuar në shkencë.

Në PISA-2018, mesatarja e aftësisë në lexim e OBEZh-it është 487 pikë. Kjo është pika me të cilën performanca e çdo vendi krahasohet. Në Kosovë, mesatarja e performancës në lexim është 353 pikë.

Mesatarja e OBEZh-it në matematikë është 489 pikë në vitin 2018. Në Kosovë, performanca mesatare në matematikë është 366 pikë.

Ndërsa, në Kosovë, performanca mesatare në shkencë është 365 pikë, derisa mesatarja e OBEZh-it është 489 pikë në vitin 2018.

Ministri Bytyqi ka thënë se, arsyet për këtë ngritje në matematikë dhe lexim dhe rënie në shkencë mund të dihen vetëm pas një analize, e cila kërkon kohë për t’u realizuar, ndërsa ka vlerësuar punën e mirë që është bërë në mbarëvajtjen e testit, e cila ka bërë që rezultatet të jenë të pranueshme nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OBEZh).

“Ajo çka është vërejtur në këtë vlerësim është se kemi lëvizje pozitive në dy fusha, në fushën e matematikës dhe atë të leximit, në krahasim me rezultatet e vitit 2015. Ndërsa, në shkencë është vërejtur një rënie në rezultate në krahasim me ato të vitit 2015. Arsyet e ngritjes në dy fusha dhe rënies në shkencë duhet kohë që të analizohen nga profesionistët, duke vlerësuar raportet e secilës shkollë dhe secilit nxënës pjesëmarrës, për të dalë me rezultate konkrete”, është shprehur ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi, po ashtu e ka vlerësuar faktin se, në vitin 2018 nxënësit i janë nënshtruar testimit në formë dixhitale, për dallim nga viti 2015 kur nxënësit i ishin nënshtruar testimit në formën laps dhe letër.

Ministri Bytyqi ka theksuar se edhe pjesëmarrja e Kosovës në dy testime të tjera ndërkombëtare, TIMSS dhe PIRS është pozitive sa i përket vlerësimit të gjendjes në arsim dhe përmirësimit të saj në të ardhmen.

Në konferencë, po ashtu është bërë e ditur se, Divizioni për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim/MAShT ka përgatitur një raport me të dhëna rreth vlerësimit të PISA 2018, i cili do të bëhet publik.

Këtë vit Testit PISA i janë nënshtruar 79 shtete. Në Kosovë vlerësimit të vitit 2018 i janë nënshtruar mbi 5 mijë nxënës 15 vjeçarë nga mbi 200 shkolla.