MASHT

MBËSHTETJE PROFESIONALE DHE FINANCIARE NGA REPUBLIKA E AUSTRISË PËR 3 VITET E ARDHSHME PËR UNIVERSITETIN E PRIZRENIT

10 Qershor, 2010

Me ftesë në të ministres për shkencë dhe kërkime të Austrisë, Beatrix Karl, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, po qëndron për një vizitë zyrtare në shtetin austriak.

Në takimin që ka pasur sot me ministren Karl, ministri Hoxhaj ka thënë se qëllimi reformave të bartura në dy vitet e fundit, ka qenë që zhvillimi i resurseve njerëzore përmes kualifikimit të fuqisë së punës, ta ndërlidhë arsimin e lartë me nevojat dhe trendet e zhvillimit ekonomik të vendit, përderisa cilësia në arsim varet mbi të gjitha nga programet e studimeve, nga përgatitja akademike e mësimdhënësve universitar si dhe nga ndërlidhja e mësimdhënies dhe kërkimeve shkencore në arsimin e lartë.

“Reformimi dhe modernizimi i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës nuk mund të paramendohet pa mbështetje të fuqishme të Republikës së Austrisë, e cila për 10 vite ka qenë partneri kryesor dhe vendimtar në fushën e arsimit të lartë”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë një partneritet shtetëror dhe instuitucional në jetësimin e reformave në fushën e arsimit të lartë.

Përems një projekti, i cili përbehet nga 9 komponente (themelimi dhe konsolidimi i Agjencisë Kosovar të Akreditimit, Qendrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Arsimin e Lartë, Qendrës për Inovacion dhe Transfer të Kredisë, Qendrës për Njohje dhe Infornmim Akademik, Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe përkrahjes në binjakëzimin me institucionet e arsimit të lartë, mobilitet akademik dhe hulumtim shkencor), Republika e Austrisë ka dhënë kontribut të madh që ta sjellë Republikën e Kosovës dhe institucionet e arsimit të lartë më afër Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe Hapësirës Evropiane të Kërkimit Shkencor (ERA).

Gjatë këtij takimi, ministrja Beatrix Karl falenderoi ministrin për rrugën evropiane në reformimin dinamik të sistemit të arsimit të lartë dhe i siguroi mbështetje të mëtutjeshme në jetësimin e Programit Kombëtar të Shkencës, në procesin e akredimit të institucioneve publike dhe private të Republikës së Kosovës dhe në ndërmarrësinë në fushën e arsimit të lartë.

Fokus i këtij takimi në mes të dy ministrave, ka qenë ndërtimi institucional i Universitetit të Prizrenit, ku Republika e Austrisë është duke dhënë aktualisht një kontribut shumë të madh përmes ekspertizës në hartimin e një koncepti modern universitar, përmes hartimit të Statuitit dhe të organogramit të Universitetit, të ndërtimit administrativ të tij, si dhe të zhvillimit të programeve mësimore.

Ministrja Karl, gjatë këtij takimi konfirmoi se Universiteti i Prizrenit do të jetë projekti më i rëndësishëm, i cili në vitin 2010 dhe në vitet në vazhdim do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Austrisë.

Mbështetja për Universitetin e Prizrenit nga Republika e Austrisë do të jetë për periudhën 2010 – 2012.

Gjatë këtij viti, pritet që edhe ministrja e Shkencës dhe Kërkimeve e Austrisë, Beatrix Karl ta vizitojë Republikën e Kosovës.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.