MASHT

PARTNERËT ZHVILLIMORË DHE DONATORËT DO TË VAZHDOJNË TA MBËSHTESIN ARSIMIN E LARTË DHE SHKENCËN NË KOSOVË

25 Maj, 2021

Me gjithë sfidat dhe vështirësitë që janë krijuar nga pandemia COVID-19, janë shënuar rezultate të mira në realizimin e projekteve të rëndësishme të mbështetura nga partnerët zhvillimorë dhe donatorët në arsimin e lartë dhe në shkencë.

Kështu u konstatua në takimin virtual të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) me partnerët zhvillimorë dhe donatorët, ku ka marrë pjesë edhe ministrja Arbërie Nagavci, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të ambasadave të shteteve të ndryshme, të cilat mbështesin arsimin e lartë dhe shkencën.

Në fjalën përshëndetëse, ministrja Nagavci, ka falënderuar partnerët zhvillimorë dhe donatorët për mbështetjen që i kanë dhënë vazhdueshëm arsimit në përgjithësi, veçanërisht arsimit të lartë.

Ministrja theksoi se kjo mbështetje që i është dhënë arsimit të lartë në forma të ndryshme është shumë e rëndësishme, ndërsa theksoi nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit duke bashkërenduar aktivitetet, në mënyrë që të kemi ngritje të cilësisë në këtë nivel të arsimit.

Ministrja Nagavci përmendi sfidat dhe vështirësitë që e kanë përcjellë arsimin përgjatë pandemisë, të cilat kanë ndikuar edhe në realizimin e projekteve të mëdha të mbështetura nga partnerët zhvillimorë. Po ashtu, ajo theksoi se së bashku mund të shihen mundësitë e ndihmës që mund të japin partnerët në realizimin e programit qeverisës për arsimin, sidomos për arsimin e lartë, në mënyrë që të rinjve tanë t’iu ofrohet arsim sa më cilësor.

Në këtë takim, partnerët zhvillimorë dhe donatorët përmes përfaqësuesve të tyre, kanë raportuar për projektet që i financojnë ose që janë në bashkëfinancim e që kanë të bëjnë me zhvillimin e arsimit të lartë, ofrimin e bursave për studentët e Kosovës, mobilitetet, afrimin e arsimit të lartë me tregun e punës, por edhe qasjen dhe shfrytëzimin e fondeve dhe programeve ndërkombëtare të shkencës.

Gjithashtu, në takim u bisedua edhe për planet për të zgjeruar bashkëpunimin mes partnerëve në arsimin e lartë, MAShTI-t, universiteteve dhe institucioneve shkencore.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.