MASHT

Piter Feith mbajti një ligjëratë nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë

21 Prill, 2011

Piter Feith: “Veriu është në Kosovë dhe do të mbetet me Kosovë, ndërkaq ju gjenerata e re duhet të krijoni dhe kërkoni rrugën e pajtimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet popujve në rajon”. Ramë Buja: “Ne kemi realizuar lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë që e kemi pasur synim. Patriotizëm mbi patriotizmin për ju nxënës të dashur, tani është që të jeni njerëz të dijes dhe këtë besoj do ta realizoni”.

Ligjërata është pjesë e projektit “Ligjëratë njëditore e BE-së”, iniciativë kjo e Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së për Kosovën (EUSR) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Piter Feith duke ju drejtuar nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, ndër të tjera, tha se Kosova ka shumë pasuri dhe një ditë ajo do të jetë pjesë e BE-së, “por kjo varet nga ju që të ardhmen saj ta bëni me sukses, e një nga kushtet është pajtimi. “Ne të gjithë e dimë se Kosova ka kaluar rrugë të vështira, kohën kur u ushtrua dhunë ndaj njerëzve këtu. Duhet të punojmë drejt pajtimit me fqinjët dhe me komunitetet brenda në vend. Përvoja e Francës dhe Gjermanisë është një shembull i mirë se si duhet të veprohet. Pajtimi ndërmjet këtyre shteteve pas Luftës së Dytë Botërore ishte edhe fillimi i Bashkimit Evropian. Prandaj, para se të bashkohet Kosova me BE-në duhet të arrihet një pajtim me rajonin, ku do të krijohen kushtet për bashkëpunim me Maqedoninë Malin e Zi, Greqinë, por edhe me Serbinë”.
Në vazhdim, z. Feith tha se BE-ja do të ndihmojë dhe ka ndihmuar në inicimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. “I takon gjeneratës suaj që të shtrijnë dorën e pajtimit dhe të kontaktoni me miqtë tuaj në rajon”, theksoi ai.

Është me rëndësi, tha z. Feith, që të bëhet kjo, sepse me këtë do të fitoni një liri më të madhe të lëvizjes, përfshirë edhe regjimin e udhëtimit pa viza në Evropë, që të mund të promovojmë tregtinë dhe investimet ekonomike përtej kufijve, që të mund të krijojmë më shumë vende pune dhe prosperitet për popullin e Evropës. “Këto janë sfidat me të cilat juve do t’ju duhet të punoni, por në këtë do t’ju ndihmojnë dhe mbështesin miqtë tuaj evropian, si në Bruksel dhe në vendet tjera”.

Z. Feith përmendi faktin se pas 2 javësh i skadon mandati i tij në Kosovë dhe shtoi se ka punuar këtu deri më tani bashkë me zyrën ndërlidhëse të KE-së dhe EULEX-in. “Besoj se ja kemi dalë t’i krijojmë themelet për një të ardhme evropiane të Kosovës. Të gjitha këto janë bërë me mbështetjen e 27 vendeve anëtare të BE-së. Jemi në rrugë të mbarë dhe kemi arritur mjaft larg në zbatimin e planit gjithëpërfshirës të Ahtisarit dhe ju siguroj se keni miq shumë të fuqishëm edhe në vitet që vijnë. Kosova do të jetë një partner stabil dhe i rëndësishëm në rajon dhe për BE-në, dhe ju si gjeneratë e re duhet të jepni kontributin tuaj për mirëqenien e popujve evropian”, tha në fund të ligjëratës së tij z. Piter Feith.

Ndërkaq, në fjalën përshëndetëse, ministri Ramë Buja theksoi se, në fokus të mandatit të tij qeverisës do të jetë cilësia mësimore në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë. “Ju jeni ajka e kësaj. Dija e cilësia nuk kanë kufij dhe unë ju uroj që ju të ngriteni edhe më tej”, iu tha nxënësve ministri i Arsimit.

“Ligjërata që e mbajti i nderuari Piter Feith, ishte shumë e kuptimshme, logjike dhe porositëse, që ne e kemi gjithmonë parasysh. Nuk ka kaluar shumë kohë që ne jemi ballafaquar me gjënë më të tmerrshme që mund ta përjetojë njeriu, me një gjenocid të paparë. Por, ne kemi realizuar lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, që e kemi pasur synim. Kjo ka përfunduar dhe ndjenja dhe përcaktimi patriotik i dikurshëm që kishim duke u futur burgjeve për të realizuar lirinë, ka përfunduar. Patriotizëm mbi patriotizmin për ju tani është që të jeni njerëz të dijes dhe këtë besoj do ta realizoni”, u shpreh ministri Buja.

Zoti Feith, tha ministri Buja, e tha shumë përmbajtësish faktin që ju jeni ata që hapni portat e bashkëpunimit, të miqësisë dhe kooperimit. “Ne kemi hapur portat e respektit tonë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe jemi të hapur edhe me Serbinë, sepse konsiderojmë se edhe Serbia ka pasur zezonat e saja.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi kemi hapur portat e dialogut teknik me Serbinë. Uroj që asnjëherë diplomacia dhe politika mos t’i fusin duart në gjyqësi, të bëjë secili punën e vet logjikshëm, përmbajtësisht dhe suksesshëm” tha në fund z. Buja.

Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë z Piter Faith u përgjegj edhe disa pyetjeve të shtruara nga nxënësit e kësaj shkolle e që kryesisht kishin të bënin me Veriun e vendit, të ardhmen Evropiane të Kosovës , Liberalizimin e Vizave etj

Projekti ligjërata njëditore e BE-së është duke u zhvilluar për të tretin vit dhe tradicionalisht sjell diplomatë nga shtetet anëtarë të BE-së dhe nga pranitë e BE-së nëpër shkollat fillore dhe të mesme në mbarë Kosovën në javët para dhe pas Ditës së Evropës më 9 maj.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.