MASHT

Në Split u nënshkrua marrëveshja për themelimin e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione

18 Shtator, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në Konferencën Ministrore të Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacion, e cila është mbajtur sot në Split të Kroacisë.

 Gjatë kësaj Konference, ministrat e Arsimit dhe të Shkencës të Kosovës, Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për themelimin e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacion.

 Ministri Bajrami në fjalën e tij të mbajtur në Konferencë, theksoi se bashkëpunimi në sferën e hulumtimit dhe inovacionit është një domosdoshmëri e kohës për vendet tona të regjionit dhe është një mundësi shumë e mirë që vendet tona të bashkuara të ecin rrugës së integrimeve evropiane.

 “Hulumtimi dhe inovacioni sot janë dy mundësi të mira për lidhjen e shteteve tona, sepse të gjitha shtet tona kanë nevojë për zhvillim ekonomik, për ngritjen e standardeve evropiane me qëllim që të përshpejtojnë rrugën e integrimit evropian.

 Ministri Bajrami tha themelimi i kësaj qendre është një mundësi shumë e mirë për partneritetin e hulumtuesve tanë dhe si rezultat edhe për zhvillimin ekonomik të vendeve tona. Ndërsa, ministri theksoi se kemi nevojë si shtete të reja të ngrisim standardin e hulumtimit shkencor dhe inovacionit.

 Sa i përmet Kosovës, ministri Bajrami tha se po punohet në tri drejtime që shkenca dhe inovacioni të kenë respektin e duhur: reforma e legjislacionit, sidomos me ligjin për arsimin e lartë; lidhja e arsimit me ekonominë, për të cilën po rishikohet tërë sistemi arsimor; hapja e rrugës për hulumtuesit e rinj, që një mundësi e mirë është edhe kjo Qendër.   

Qendra e Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione do të jetë një organizatë ndërkombëtare, e pavarur, jo-fitimprurëse dhe në pronësi të palëve nënshkruese të marrëveshjes rajonale.

Kjo qendër do të mbështesë fuqizimin e bashkëpunimit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke përmirësuar klimën e Ballkanit Perëndimor për hulumtim dhe inovacion. Për më tepër, kjo Qendër do të promovojë mobilitetin e hulumtueseve të rinj dhe kandidatëve për doktoratë në kuadër të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe mes rajonit dhe vendeve tjera.

Themelimi i kësaj Qendre dhe asistenca teknike rajonale për të është e paraparë edhe në kuadër të Strategjisë Rajonale të Ballkanit Perëndimor për Shkencë dhe Hulumtim në të cilën është e përfshirë edhe Kosova.
Është paraparë që Bashkimi Evropian të mbeshtesë këtë qendër me 200 milionë euro, fond në të cilin do të mund të përfitojnë përmes projekteve edhe hulumtuesit kosovarë. 

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.