MASHT

Ministri Hoxhaj ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore

18 Tetor, 2010

“Jemi mbledhur këtu që t’i bashkojmë forcat dhe ta bashkojmë dijen për ta luftuar një fenomen të shëmtuar, siç është trafikimi në shoqërinë e Kosovës”. Kështu është shprehur sot ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, në aktivitetin e përbashkët, që ka shënuar edhe fillimin e muajit kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Ky projekt është iniciuar nga Grupi ndërministror kundër trafikimit dhe po realizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), shkollat dhe drejtoritë komunale të arsimit.

Ministri Hoxhaj, me këtë rast, i ka ftuar të gjithë që të bashkohen rreth sloganit “Vepro me përgjegjësi”, në mënyrë që duke bashkëpunuar gjithmonë me Policinë e Kosovës, të luftohet kjo dukuri dhe të mos jetë pjesë e shoqërisë sonë, e shtetit tonë. Ai theksoi se kjo fushatë synon që në një proces të shtetndërtimit, në të cilin gjendet Republika e Kosovës, shkollat tona, nxënësit dhe familjet tona si dhe sistemi jonë arsimor, ta merr një mision të ri, dhe ky mision është ta mbrojmë shtetin tonë dhe fëmijët tanë.

Ministri Hoxhaj përmendi disa masa që ka marrë MASHT-i deri më tash për parandalimin e këtij fenomeni përmes sensibilizimit dhe informimit të nxënësve, përmes trajnimit të mësimdhënësve dhe debateve. Ndër hapat konkret ai përmendi faktin se parandalimi i trafikimit me qenie njerëzore është lëndë integrale e lëndës së Edukatës Qytetare. “Krahas kësaj kemi edhe një lëndë të re tjetër, e cila thirret ‘Aftësitë për jetë’ e cila zbatohet në 500 shkolla të Republikës së Kosovës dhe mbi të gjitha synon që ta adresojë një shqetësim të madh që kemi ne si shtet dhe si shoqëri e re”.

Ndërsa, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, theksoi po ashtu rëndësinë e luftës së përbashkët ndaj këtij fenomeni të shëmtuar në shoqërinë kosovare, ndërsa këtu theksoi rolin e jashtëzakonshëm dhe punën e madhe që po bën Policia e Kosovës në këtë drejtim.

Ministri Hoxhaj dhe zëvendësministri Xhelili, me këtë rast, kanë shpërndarë edhe certifikata dhe dhurata për nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, të cilët kanë zënë tri vendet e para në garën e organizuar me temë kundër trafikimit për esetë më të mira, në vizatim dhe në muzikë.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.