MASHT

Ministri Bajrami vlerësoi vendimin për lejimin e teksteve për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës

10 Shtator, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, në konferencën e jashtëzakonshme të mbajtur sot për media, ka vlerësuar vendimin e Qeverisë së Serbisë për lejimin e dërgimit të teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
 
Ministri Bajrami ka theksuar se kjo është hera e parë e dërgimit të teksteve përmes rrugëve institucionale në periudhën e pasluftës. “Kemi zhvilluar një proces të konsultimeve që tekstet të mos konfiskohen. Për qëllimin e dërgimit të teksteve kemi njoftuar Ministrinë e Arsimit të Republikës së Serbisë dhe ka disa ditë që kam nisur një letër për ministrin Verbic, ku i kam kërkuar që të mos pengohen, sepse tekstet që nxënësit shqiptarë i kanë përdorim janë joprofesionale dhe shumë të vjetra”, theksoi ministri Bajrami.
 
Ministri Bajrami tha se vendimi për dërgimin e teksteve për nxënësit shqiptarë në Luginën  e Preshevës ka ardhur pas një vizite që ka realizuar pak kohë më parë atje dhe ka parë se nxënësit kishin në përdorim tekste të papërshtatshme.


 
Ministri Bajrami, ndër të tjera ka folur edhe për bashkëpunimin me
ambasadat e Bashkimit Evropian dhe Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, si dhe koordinimet e nevojshme që janë bërë, në mënyrë që tekstet të mos ndalohen.
 
“Tani kur tekstet kanë kaluar në Preshevë, lusim autoritetet serbe që ato tekste të shkojnë te nxënësit, të mos ndalohet asnjë tekst, sepse tekstet tona janë në përputhje me Kurrikulën e Re të Arsimit Parauniversitar dhe absolutisht nuk kanë gjuhë të urrejtes apo përmbajtje ideologjike”, theksoi ministri Bajrami.
 
Ministri, po ashtu tha se, gjatë këtyre ditëve ka pranuar edhe  kërkesën e Qeverisë së Serbisë, për lejimin e teksteve për nxënësit serbë, të cilët jetojnë në Kosovë.
 
“Kam vendosur të veproj mbi bazën e parimit të reciprocitetit. Duke qenë se Qeveria Serbe i lejoi tekstet të hyjnë në Preshevë, edhe unë sot kam marrë vendim që të lejoj që tekstet serbe të hyjnë në Kosovë, për nevoja të nxënësve serbë dhe në rast se do të ketë ndonjë ndalesë të teksteve të caktuara, siç janë tekstet e historisë, në mënyrë të ngjashme do të veprojmë edhe me tekstet për nxënësit serbë”, tha ministri.
 
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dje ka dërguar tekstet për gjithë nxënësit e Luginës së Preshevës deri në klasën e tetë, sipas kërkesës së Këshillit Kombëtare të Shqiptarëve të Preshevës.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.