MASHT

Ministri Bajrami vizitoi nxënësit gjatë mbajtjes së testit pilotues për vlerësimin ndërkombëtar PISA

20 Prill, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami vizitoi nxënësit e Shkollës së Mesme Profesionale “Gjin Gazulli”, në Prishtinë gjatë pilotimit të vlerësimit ndërkombëtar PISA, të cilët i janë nënshtruar testit në ambientet e Universitetit Amerikan të Kosovës.

Me këtë rast, ministri Bajrami ka thënë se, pret rezultate më të mira në këtë fazë të pilotimit, të krahasueshme me rezultatet e shteteve të Bashkimin Evropian.

Ministri Bajrami theksoi se, Ministria e Arsimit është e përkushtuar në ngritjen e përgjegjësisë së nxënësve dhe mësimdhënësve në arritjen e rezultateve më të mira në mësimdhënie dhe mësimnxënie, të cilat patjetër do të rezultojnë me sukses në vlerësimin e ardhshëm ndërkombëtar “PISA 2018”.

 “Jam i sigurtë se do të fillojë një trend i ngritjes së rezultateve. Besoj në punën që kemi bërë me mësimdhënësit dhe nxënësit dhe se do të fillojë një proces i ngritjes graduale të cilësisë. Do të ofrojmë për nxënësit dhe mësimdhënsit tanë një pako stimuluese. Ky test padyshim krijon një imazh ndërkombëtar për sistemin e edukimit”, theksoi ministri Bajrami. 



Më tutje, ministri Bajrami tha se, në pilotimin e Testit PISA në vitin 2015 sikur ka munguar sensibilizimi i nxënësve dhe mësimdhënësve, ndërkaq shtoi se, përveç këtij pilotimi do të ndërmerren edhe aktivitete të tjera në trajnimin e mësimdhënësve dhe ofrimin e bursave për nxënësit e mirë.

Në këtë fazë të pilotimit të Testit PISA janë përzgjedhur mbi 2000 nxënës nga shumica e komunave të Kosovës, të cilët do t’i nënshtrohen testit brenda kësaj jave dhe javës së ardhshme.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.