MASHT

Ministri Bajrami u takua me kryetarin e Ulqinit dhe me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi

1 Gusht, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, në ditën e dytë të vizitës në Mal të Zi, është pritur nga kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjeka, ndërsa është takuar edhe me anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi.

 Në të dy takimet është biseduar për gjendjen e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, për mundësitë e bashkëpunimit në të mirë të ngritjes së cilësisë, si dhe për ndihmën që mund të japë Republika e Kosovës në këtë drejtim.

 Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Ulqinit, ministri Bajrami ka konfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit që të ndihmojë në avancimin e standardeve të mësimit në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet. “Kemi një konsensus të plotë me ministrin e Arsimit të Malit të Zi që të punojmë së bashku për ruajtjen e standardeve të mësimit shqip, për rritjen e numrit të nxënësve në shkollat shqipe, për përmirësimin e kualitetit të teksteve mësimore”.

 Ministri e ka informuar kryetarin e Ulqinit edhe për mundësitë që ka ofruar MAShT për studentët shqiptarë të Malit të Zi. “Asnjë student nga Mali i Zi nuk do të mbetet pa qasje në universitetet e Kosovës. Ofrova mundësinë që përveç studimeve bazike, të kemi studentë edhe në studimet e masterit dhe doktoraturës”. 

Ndërsa, kryetari Gjeka ka theksuar nevojën e madhe që kanë shqiptarët në Mal të Zi për përkrahje nga MAShT. Ai e falënderoi ministrin Bajrami që po krijon mundësi për përgatitjen e kuadrove, të cilat janë shumë të nevojshme për shqiptarët. 

Edhe në takimin me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, ministri Bajrami tha se Qeveria e Kosovës do të japë gjithë ndihmën e nevojshme për mësimin shqip në Mal të Zi, sikur që po bën edhe për Luginën e Preshevës.

Me këtë rast, ministri Bajrami iu bëri thirrje drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve të mësimit në gjuhën shqipe që të shfrytëzojnë mundësinë për studime master në gjashtë programet e Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që shkolla shqipe të këtë mësimdhënës dhe drejtorë të përgatitur, e që do të ngrisin cilësinë në arsim. 

Gjithashtu, ministri Bajrami dhe anëtarët e Këshillit janë pajtuar për çështjen e teksteve. “Do të ndihmojmë me tekste. U morëm vesh që bashkëpunimi ynë të shkojë përtej një Abetareje”, tha ministri Bajrami.

 Kryetari i Këshillit, z. Genc Nimanbegu, tha se ministri Bajrami ka dhënë shumë lajme të mira për prindërit shqiptarë në Mal të Zi, për nxënësit dhe studentët dhe u shpreh i sigurt se bashkëpunimi do të japë rezultate të mira në të ardhmen.


Të gjitha çështjet që janë biseduar gjatë takimeve dyditore që ka pasur ministri Bajrami në Mal të Zi sa i përket arsimit në gjuhën shqipe, do të konkretizohen me një Marrëveshje Bashkëpunimi që pritet të nënshkruhet mes dy shteteve.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.