MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në tryezën “Edukimi për punë- Plotësimi i nevojave të tregut të punës”

31 Gusht, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në tryezën “Edukimi për punë – Plotësimi i nevojave të tregut të punës”, në të cilën u diskutua lidhur me vizionet, sfidat dhe planet e Ministrisë së Arsimit, sa i përket përgatitjes së kuadrove të kompetencës.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka theksuar se, arsimi i profesional në Kosovë ende nuk është shumë funksional, dhe ka përmendur edhe strategjitë e MAShT-it në përmirësimin dhe funksionalizmin e sistemit të arsimit, i cili prodhon kuadro për tregun e punës.

“Kemi filluar procese strategjike që arsimi i mesëm i lartë në Kosovë të jetë arsim i orientimit të të rinjve për tregun e punës. MAShT ka krijuar një komision drejt specializimit të ngushtë të shkollave profesionale, e cila nënkupton përgatitjen e stafit profesional të mësimdhënësve, mësimin dual, kurrikulën adekuate dhe sigurimin e literaturës”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, po ashtu tha se Ministria e Arsimit është duke punuar që të sigurojë lidhjen në mes të bizneseve dhe shkollave profesionale në Republikën e Kosovës, duke kërkuar bashkëpunimin edhe të Odës Ekonomike Amerikane në këtë drejtim.

Duke folur për sektorin e bujqësisë si një resurs i pashfrytëzuar, ministri Bajrami ka shpalosur edhe vizionin e Ministrisë së Arsimit për krijimin e  një institucioni, i cili do të përgatiste kuadro profesionale për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.

Ministri Bajrami, ndër të tjera ka folur edhe për krijimin e universiteteve të specializuara, si mundësi për krijimin e një ekonomie të fortë në Kosovë.

Në këtë tryezë panelistë ishin edhe  Alejtin Berisha, kryesues i Komitetit të Edukimit në Odën Amerikane, Enkelejda Shatri nga Akademia Evolucion dhe Fikret Havolli, menaxher Ekzekutiv në Orbico.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.