MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në prezantimin e komponentëve të projektit “e-Edukimi”

22 Shtator, 2015

Ministri i Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë, mori pjesë në ceremoninë e  prezantimit të projektit e-Edukimi me temë “Modernizimi i sistemit kosovar të arsimit përmes e-Edukimit”.

Ministri Bajrami, me këtë rast, shpalli fillimin e zbatimit të projektit të shkollës digjitale. Ai tha se projekti “e-Edukumi” do të realizohet përmes tri fazave, duke rishikuar kurrikulat, trajnime të vazhdueshme të mësimdhënësve, si dhe modernizimi i shkollave.

Ministri foli për rëndësinë që ka ky projekt për ngritjen e cilësisë në arsim, krijimin e mundësive për menaxhim digjital të shkollave, zhvillimin e mësimit elektronik nga ana e nxënësve, si dhe implementim të suksesshëm edhe të digjitalizimit të Maturës, e për të cilën tha se se ky projekt mundëson transparencë, menaxhim dhe vlerësim efikas. 



“Portali “e-shkolla” është koka e inteligjencës së sistemit të arsimit, është një rregullator i menaxhimit të mirë të shkollës. Portali “e-shkolla” është një pasqyrë e arritjeve tona të përditshme. Fillojmë me e-ditarin, që është duke u pilotuar në disa shkolla, instrument i fuqishëm i mësimdhënësve për ta menaxhuar mirë një program një vjeçar.”

Ne, tha ministri Bajrami, dëshirojmë që projektet si ky të bëhen asete tonat, që ato t’i kemi në pronësi në të ardhmen dhe që të përfitojmë sa më shumë nga to. “Dua të porosis mësimdhënësit e trajnuar për këtë qëllim, që ata të përcjellin  njohuritë e fituara  te kolegët e tyre në shkolla“, tha ministri Bajrami.

Një pjesë të fjalës, ministri Bajrami, ia kushtoi pilotimit të Kurrikulës së re për çka tha se në vazhdimësi po e përcjellim zbatimin e saj, për të parë se sa është e zbatueshme dhe funksionale, sa janë të përshtatshme këto ndryshime kurrikulare për rrethanat tona, por gjithnjë duke u bazuar në faktin se reformat në arsim, kudo janë të përhershme.

Prezantim e projektit  “e–Edukimi”, e bëri z. Manfred Brandtner, menaxher i kompanisë BIT media (Austri), i cili tha se në këtë mënyrë Kosova  po radhitet ndër vendet evropiane që tashmë kanë krijuar traditë dhe që kanë arritur suksese të lakmueshme.

Në fund, ministri Bajrami ndau edhe certifikatat e para të mësimdhënësve të trajnuar për e-Edukim. 

Ky projekt është donacion i Qeverisë së Austrisë dhe ka për  qëllim ngritjen e cilësisë në arsim, ndërsa do të implementohet nga kompania BIT media, e po këtij vendi.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.