MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në debatin me studentët për Projektligjin për Arsimin e Lartë dhe atë për Profesionet e Rregulluara

25 Maj, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë sot në debatin publik për Projektligjin për Arsimin e Lartë dhe atë për Profesionet e Rregulluara, i cili kësaj radhe është mbajtur me përfaqësuesit e organizatave studentore të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Ministri Bajrami edhe këtë herë ka përmendur disa ndryshime që janë paraparë të bëhen me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, për të cilat tha se po synohet të bëhen reforma në shumë aspekte, me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsim dhe menaxhim.

Po ashtu, ministri Bajrami përmendi edhe se ky Ligj do të sigurojë standarde të cilësisë në arsimin e lartë, të definimit të autonomisë akademike dhe financiare të universiteteve, të forcimit të Senatit të Universitetit, të cilit i janë dhënë të gjitha kompetencat e vendimmarrjes akademike dhe roli vendimtar i zgjedhjes së rektorit, i cili sipas ligjit të ri, duhet të jetë produkt akademik.

Ministri Bajrami tha se, janë vendosur standarde të larta sa i përket cilësisë së mësimdhënies, por theksoi se po mundohemi të ngrisim standardet edhe për përfaqësuesit e studentëve.

Duke theksuar rolin shumë të rëndësishëm të studentëve për të pasur një ligj sa më të mirë dhe në të mirë të gjërave substanciale të jetës së tyre universitare, ministri Bajrami i ftoi ata që të jenë pjesë aktive e këtij debati.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.