MASHT

Ministri Bajrami hapi fushatën “Arsim për punësim- 2016 viti i cilësisë”

8 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka hapur debatin me nxënës, prindër dhe mësimdhënës “ Arsim për punësim- 2016 viti i cilësisë”.

Debati i cili do të promovojë draft- strategjinë  për Sigurimin e Cilësisë, ka filluar në “Shkollën Model” në Prishtinë dhe do të vazhdojë edhe në njëmbëdhjetë shkolla të tjera të Kosovës.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka theksuar se, është vendosur që kjo fushatë të lansohet në një shkollë, e cila është e krahasueshme me shkollat evropiane, ka menaxhment të përgjegjshëm, mësimdhënës të përkushtuar, nxënës të shkëlqyeshëm dhe është duke kaluar procesin e pilotimit të mësimit gjithëditor.

“Po fillojmë debatin në shkolla me nxënës, prindër, mësimdhënës dhe drejtorë,  në mënyrë që të bashkëbisedojmë për bërjen realitet të deklaratave për shkolla cilësore. Këto ditë kemi draftuar Strategjinë për Sigurimin e Cilësisë, që është hartuar nga ekspertë të fushave përkatëse dhe parasheh reformën brenda klasës, pra reformën arsimore për mësim cilësorë brenda orëve mësimore”, theksoi ministri Bajrami.



Ministri Bajrami po ashtu bëri të ditur se, Qeveria e Kosovës ka siguruar buxhetin për pajisjen e shkollave me pedagogë, në mënyrë që shkollat të jenë humane dhe nxënësve t’ u sigurojnë trajtim adekuat, ndërkaq shtoi se, është duke u punuar edhe në sigurimin e mjeteve për pajisje të shkollave me psikologë dhe mjekë.

Ndër të tjera, ministri Bajrami ka folur edhe për digjitalizimin e shkollave, sistemin e vlerësimit të performancës, emërimin e koordinatorit për cilësi brenda shkollave dhe trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve, në funksion të arritjes së një mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore dhe sigurimi të një ambienti modern për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.