MASHT

KUVENDI RATIFIKOI MARRËVESHJEN PËR PROGRAMIN “HORIZON EUROPE” DHE ATË PËR SHKËMBIMIT AKADEMIK “FULBRIGHT”

21 Janar, 2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot Projektligjet për ratifikimin e dy marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare: Marrëveshjen me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Horizon Europe” dhe atë me Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë për Programin e shkëmbimit akademik “Fulbright”.

Programi “Horizon Europe”, ku Kosova merr statusin e asociuar në program me të drejta të plota, është programi kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e punës kërkimore dhe inovacionit me buxhet të përgjithshëm prej 95.5 miliard euro.

Statusi i asociuar do të thotë më shumë mundësi për subjekte juridike dhe individë nga Kosova për pjesëmarrje në programet kërkimore evropiane. Me këtë rast, Kosova bëhet pjesë aktive e Hapsirës Evropiane të Kërkimit, duke përfituar nga pjesëmarrja në një ekosistem të përbashkët panevropian të kërkimit dhe inovacionit.

Ndërsa, Programi “Fulbright”, studentëve tanë ua hapë rrugën për studime në institucione prestigjioze amerikane, në programe me interes për zhvillimin e vendit, si dhe mundëson rrjetëzimin dhe hulumtimin me institucione hulumtuese amerikane, që në planin afatgjatë kontribuon në ngritjen e performacës së hulumtimit në vend.

Duke e pasur parasysh rëndësinë dhe përfitimet në arsim e hulumtim, MAShTI ka dyfishuar fondet për mbështetjen e këtij programi.

Last modified: 17 Maj, 2022

Comments are closed.