MASHT

KRERËT E INSTITUCIONEVE QENDRORE DHE LOKALE DISKUTUAN PËR PËRGATITJET FINALE PËR FILLIMIN E VITIT TË RI SHKOLLOR

24 Gusht, 2020

24 Gusht 2020

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka marrë pjesë në takimin që është mbajtur sot me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe kryetarët e komunave, ku është diskutuar për mbështetjen financiare të Qeverisë ndaj komunave për menaxhimin e pandemisë dhe analizimin e efektit të masave mbrojtëse ndaj COVID-19, si dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021.

Ministri Likaj pas takimit ka thënë se, në bashkëpunim dhe me rekomandim të IKSHPK-në dhe Ministrisë së Shëndetësisë, jemi dakorduar që viti shkollor për fazën e parë të fillojë më 1 shtator, pra parashkollorët, klasat e para, të dyta, të treta, të gjashta dhe të dhjeta, për fazën e dytë të fillojë më 7 shtator, pra klasat e katërta dhe të pesta, ndërsa faza e tretë e mësimit të fillojë më 10 shtator për klasat shtatë, tetë, nëntë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë.

Ministri Likaj ka ripërsëritur se, mësimi do të zhvillohet sipas skenarëve të prezantuar dhe nivelit të rrezikshmërisë, ndërsa Task Forcat e komunave dhe të shkollave, duke u bazuar në kapacitetet infrastrukturore, stafin, respektimin e masave mbrojtëse dhe në bazë të respektimit të Udhëzuesit, i cili është përgatitur në bashkëpunim me IKShPK-në, do të vendosin se cilin skenar do ta zbatojnë.

Ndër të tjera, ministri Likaj ka thënë se, për shkak të situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHPK-së, plani nuk mund të përgatitet më gjatë se sa për dy javë dhe se klasat shtatë, tetë, nëntë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë mund të shkojnë me zbatim të skenarit me mësim të kombinuar, pra dy ditë në shkollë dhe tri ditë në shtëpi.

Ndryshe, në kuadër të Master planit Qeveria e  Kosovës ka ndarë mjete të nevojshme që do të shfrytëzohen për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe për t’iu ndihmuar komunave që të bëjnë përgatitjet e duhura dhe të respektojnë në vazhdimësi masat duke iu përmbajtur udhëzuesit të përgjithshëm.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.