MASHT

Komunikatë lidhur me zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës

21 Tetor, 2015

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e Rektorit të Universitet të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e thellon krizën në Universitet dhe dëmton nismat reformuese për përmirësimin e cilësisë. Veprimet e tilla të papranueshme janë në kundërshtim të plotë me angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ruajtjen e stabilitetit institucional dhe përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka ofruar mbështetjen e tij të plotë për Universitetin, duke apeluar vazhdimisht tek organet e Universitetit për ruajtjen e stabilitetit institucional dhe vendosjen e rendit akademik në Universitet. Fatkeqësisht, organet e Universitetit sot dështuan të veprojnë me përgjegjësi akademike dhe shoqërore, duke lejuar që kundërshtimet dhe interesat e ngushta të vihen mbi parimet dhe interesin e përgjithshëm të Universitetit. 

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, do të marrë të gjitha masat e përgjegjësisë në përputhje me kompetencat ligjore të tij, dhe në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të informojë kabinetin qeveritar me zhvillimet e fundit në Universitet dhe ofrimin e zgjidhjeve në interes të Universitetit.  

Sot, Universiteti ka nevojë për mbështetjen e gjithë komunitetit akademik dhe studentor të Universitetit, prandaj ju bëjmë apel të gjithë profesorëve dhe studentëve të dëshmojnë përgjegjësi akademike dhe shoqërore, në mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor dhe mbrojtjen e interesave të institucionit. 

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.