MASHT

Komunikatë

16 Qershor, 2016

Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), i ka identifikuar një numër të maturantëve që kanë shkelur rregullat e Provimit të Maturës Shtetërore, duke përdorur telefona celularë, apo mënyra tjera kopjimi dhe ka marrë masa ndaj tyre.

KShM njofton se një numër tjetër i maturantëve tashmë të identifikuar, kanë abuzuar me rregullat e testimit duke komunikuar në rrjetet sociale me individë dhe grupe të caktuara me qëllim kopjimi. Pas identifikimit të tyre janë mësuar emrat, adresat dhe qendrat e tyre si dhe emrat e administruesve dhe klasat ku kanë administruar ata. 

Të gjithë maturantëve që i kanë shkelur rregullat e Testit të Maturës, për një vit u ndalohet hyrja në testin e maturës, kurse ndaj administruesve që nuk i kanë zbatuar rregullat apo shkelur ato, është iniciuar procedurë disiplinore siç e përcakton Ligji për Provimin e Maturës Shtetërore.
 
Komisioni i Maturës Shtetërore është i përkushtuar për zbatimin e plotë të rregullave të administrimit të Provimit të Maturës Shtetërore, ndërsa po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës, e cila po i zhvillon procedurat hetimore ndaj të gjithë atyre që kanë abuzuar me këtë proces me qëllim të përfitimit dhe komprometimit të tij.

Deri tani janë iniciuar procedura disiplinore ndaj këtyre administruesve: 
Rifat Demaku – mësimdhënës nga Drenasi (administrues në Malishevë)
Fixhrije Salihu – mësimdhënëse nga Prishtina (administruese në Pejë) 
Xhemajl Behluli – mësimdhënës nga Gjilani (administrues në Lipjan)
Idriz Ugraj – mësimdhënës nga Suhareka (administrues në Viti)
Adil Krasniqi – mësimdhënës nga Prishtina (administrues në Fushë Kosovë)
Arta Sadiku – mësimdhënëse nga Podujeva (administruese në Mitrovicë)

Komisioni Disiplinor në MAShT është duke i analizuar dhe proceduar edhe rastet tjera të identifikuara. KShM zotohet se asnjë rast i shkeljeve të faktuara nuk do të mbetet i pandëshkuar siç e përcakton ligji. 

KShM i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e pjesës së dytë të Maturës Shtetërore, e cila mbahet më 18 qershor 2016. Me këtë rast, Komisioni falënderon të gjithë akterët e përfshirë në proces dhe i fton ata që t’i përmbushin detyrat dhe obligimet ligjore. 

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.