MASHT

Ka vazhduar punimet konferenca dyditore “Arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë”

9 Shtator, 2015

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Anila Statovci-Demaj ka hapur punimet e ditës së dytë të Konferencës me temën “Arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë”, e cila ka si synim prezantimin e vizionit të Ministrisë së Arsimit dhe rritjen e vetëdijes së gjithë faktorëve relevant, për konceptin dhe filozofinë e arsimit gjithëpërfshirës.
 
Zëvendësministrja Statovci-Demaj theksoi se, Republika e Kosovës ka bërë tanimë përvojat e veta sa i përket procesit të gjithëpërfshirjes, të cilat edhe janë prezantuar në ditën e parë të kësaj Konference.
 
 Zv/ministrja Statovci-Demaj, tha se qëllimi i Ministrisë së Arsimit është që të sigurojë qasje në arsimin kualitativ dhe kjo qasje të jetë e formësuar për nevojat e ndryshme të nxënësve. “Qëllimi ynë është respekti, dinjiteti dhe barazia për të gjithë. Dhe ky është një fundament edhe kushtetues në Republikën e Kosovës”, theksoi ajo.
 
Ndër të tjera, zv/ministrja Statovci-Demaj foli edhe për konkluzionet që pritet të dalin nga kjo konferencë, për të cilat tha se do të jenë shumë me interes për Ministrinë e Arsimit, në rrugën e saj drejt përmirësimit dhe avancimit të cilësisë në arsim.


 
Ndërsa, ambasadorja e Finlandës në Kosovë, znj. Anne Huhtamaeki tha se arsimi gjithëpërfshirës bazohet në të drejtën e nxënësve për t’u përfshirë në arsim cilësor, pavarësisht karaktersitikave të tyre.
 
“Për Finlandën gjithmonë ka qenë tepër e rëndësishme që të ofrojë mundësi të  barabarta për arsimim. Arsimi gjithëpërfshirës duhet t’iu mundësojë qasje të gjithë nxënësve, duke i bashkuar në një klasë nxënësit e ndryshëm”, tha Huhtamaeki.
 
Në ditën e dytë të Konferencës foli edhe znj. Marja Mateo, eksperte e Projektit të Binjakëzimit, e cila para pjesëmarrësve prezantoi Udhërrëfyesin për Diversitet dhe Gjithëpërfshirje.
 
 Konferenca “Arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë” ofron mundësi të shkëmbimit të përvojave vendore dhe ndërkombëtare në fushën e arsimit gjithëpërfshirës.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.