MASHT

Hoxhaj dhe Mustafa biseduan për çështje të arsimit në komunën e Prishtinës

3 Korrik, 2010

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj dhe Kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa, zhvilluan një takim pune në kuadër të aktivivitetit, “Muaji i Arsimit Lokal”, të proklamuar dhe filluar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Qëllimi i këtij takimi po edhe takimeve tjera që Ministri Hoxhaj do ketë me të parët e komunave në Kosovë, është që të nxirret një bilanc për përfundimin e vitit shkollor si dhe evidentohen problemet, nevojat që kanë në fushën e arsimit, angazhimet që duhet të pasojnë me qëllim të krijimit të parakushteve për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor 2010-2011.

Në konferencën për media, Ministri Hoxhaj tha se “kemi një bashkëpunim të mirë me kryetarin Mustafa sa i përket krijimit të hapësirës shkollore të rritjes së cilësisë dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me arsimin.

Sot, biseduam për gjetjen e një lokacioni për ndërtim të “Shkollës së Talentëve”, për nivelin fillor dhe atë të mesëm, të cilën do ta ndërtojë MASHT së bashku me Bankën Botërore. Në këtë shkollë do të vijojnë mësimin nxënësit me prirje të veçanta dhe shkallë të lartë inteligjence.

Këtë përzgjedhje nuk kemi pas mundësi ta bëjmë deri me tani dhe mendoj se kjo i nevojitet Kosovës tha Hoxhaj. Synimi është që në të krijojmë një elitë e cila në të ardhmen mund të jetë e fuqishme, në shkencë, politikë art dhe fusha tjera të dijes.
Krahas kësaj ministri Hoxhaj gjithashtu njoftoi se me 1 shtator 2011, në kryeqendrën e Kosovës do të kemi një Gjimnaz Matematikor.

Në vazhdim ministri tha se me kryetarin Mustafa, biseduam edhe për reformën e Kurrikulumit, në bazë të së cilës komunat kanë mundësi që 20% të programeve të hartojnë vet. Biseduam edhe për formulën e re të financimit si dhe bartjen e disa kompetencave drejtpërdrejt në shkollë.

Ndërkaq Kryetari Mustafa, tha se “biseduam për sukseset për mundësitë e investimeve në infrastrukturën shkollore, për ngritjen e cilësisë në arsim. Deri me tani kemi pas mbështëtjen e MASAHT -it dhe të donatorëve ndërkombëtar. Ne biseduam edhe për dislokimin e nxënësve nga disa qendra lokale në shkollat e qytetit, me qëllim që të krijojmë kushte më të mira, të afërta dhe ta shkurtojmë relacionin e lëvizjes se nxënësve për në shkollë.

Proceset e e reja, sidomos ato që kanë të bëjnë me formulën e re të financimit, janë një sfidë, por kemi kapacitete njerëzore dhe do t`ia dalim, natyrisht ne do vazhdojmë e bashkëpunimin me MASHT -in.

Në fund, kryetari Mustafa bëri të ditur se për ndërtimin e “Shkollës së Talentëve”, tashmë është zgjedhur lokacioni.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.