Zv/ministri Sahiti mori pjesë në kuvendin zgjedhor të LAPSh-it në Bavari

06 Qershor 2019

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani me ftesë te LAPSh-it, ka marrë pjesë në Kuvendin zgjedhor të kësaj shoqate, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Konsullatës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë të akredituara në Munih (Dashnor Ibra – Shqipëri, Afrim Nura– Kosovë).

Zv/ ministri Sahiti, në emër të MAShT-it, i përshëndeti dhe falënderoi kryesinë e LAPSh-it për kontributin e vazhdueshëm të organizimit të mësimit në gjuhen shqipe në Landin e Bavarisë në Munih.

Zv/ministri Sahiti i përgëzoi mësimdhënësit dhe të gjithë të angazhuarit në organizimin e mësimit plotësues, njëherësh tha se MAShT është e angazhuar që të mbështesë përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve në mësimin plotësues. Po ashtu, ai theksoi se, mësimi i gjuhës shqipe dhe historisë është me rëndësi jetike për ruajtjen e traditës dhe minimizimin e rrezikut nga asimilimi.

Zv/ministri Sahiti, gjithashtu tha se, MAShT-i në bashkëpunim  me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, do të vazhdojë të sigurojë tekstet dhe mjetet e nevojshme mësimore, ndërsa theksoi edhe rëndësinë e hartimit të kurrikulës së përbashkët për diasporën.

Me këtë rast, zv/ministri Sahiti në veçanti falënderoj LAPSh-in dhe fondacionin “Besa”, në shenjë mirënjohje dhe respekti në angazhimin e tyre për organizimin e mësimit të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë.