Zv/ministri Pupovci tha se MAShTI po i bën përgatitjet që viti i ri shkollor të fillojë me kohë

23 Korrik 2021

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, tha se MASHTI është duke i bërë të gjitha përgatitjet që viti i ri shkollor të fillojë me kohë.

Në konferencën e rregullt për medie, zv/ministri Pupovci përmendi disa nga aktivitetet që janë kryer dhe ato që janë në proces për një fillim të mbarë të vitit shkollor, ndër të tjera edhe hartimin e “Kalendarit të vitit shkollor 2021/2022” i cili aktualisht është në konsultim.

Pasi që theksoi se tashmë ka përfunduar afati i parë i regjistrimit të nxënësve në klasën e dhjetë, ai tha se afati i dytë është data 23.08.2021. 

Duke folur për programet mësimore dhe tekstet shkollore, zv/ministri Pupovci theksoi se në këtë vit shkollor do të ketë tekste alternative për klasat 1, 2, 6 dhe 7 ndërsa tha se Ministria ka përgatitur të gjitha procedurat për furnizimin e nxënësve me tekste mësimore për vitin shkollor 2021/2022.

Sa i përket dorëshkrimeve për tekstet e reja shkollore për klasat 3 ,8 , 12, zv/ministri shtoi se ato janë në proces të rishikimit nga autorët pas vlerësimit të parë nga recensentët.

Për vlerësimet e nxënësve, zv/ministri tha se MAShTI i ka bërë përgatitjet për organizimin e Testit të Arritshmërisë për nxënësit e Kamenicës, të cilët e kanë përfunduar klasën e 9 me vonesë dhe ky test do të mbahet më 3.08.2021. Po ashtu, theksoi se janë bërë përgatitjet për afatin dytë të Provimit Shtetëror të Maturës, i cili mbahet më 28.08 2021.

Zëvendësministri Pupovci foli edhe për vaksinimin e mësimdhënësve kundër Covid-19 dhe tha se presim që gjatë pushimeve të verës të gjithë mësimdhënësit të vaksinohen dhe ta fillojnë punën me shëndet të plotë.

Gjithashtu, zv/ministri theksoi se ka filluar puna në rishikimin e Udhëzimit Administrativ 17/2014 për aplikimin e pagesave të studentëve në IAL-të publike me idenë që studentët e nivelit Bachelor dhe Master të lirohen nga këto pagesa me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë, ndërsa tha se do të ketë disa lehtësime edhe për studentët e nivelit të doktoratës.

Zëvendësministri i Arsimit përmendi edhe avancimin që është bërë në negociata për programin “Horizon Europe”, për të cilin tha se marrëveshja pritet të nënshkruhet deri në fund të vitit dhe kjo iu mundëson institucioneve kërkimore nga Kosova që tani të kenë mundësi të aplikojnë për fonde të Programit në kushte të njëjta si institucionet nga vendet me status të asociuar.

Ndërkaq, edhe Ligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim ka hyrë në fazën finale të përgatitjes dhe zv/ministri Pupovci tha se gjatë gushtit do të procedohet në Qeveri.