MASHT

Zëvendësministri Mustafa vizitoi shkollën “Eqrem Qabej”

23 Janar, 2012

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa, dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, me bashkëpunëtorë vizituan sot Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Eqrem Qabej” në Mitrovicë, me ç’ rast dhuruan disa kompjuterë të tipit “Lop-top” dhe promovuan një pilot- projekt, në kuadër të futjes së sistemit të qeverisjes elektronike “E- Shkollat”.

Zëvendësministri Mustafa pasi ka bërë të ditur se projekti “E- Shkollat” është pjesë e komponentës së tretë të strategjisë së Qeverisë së Kosovës për avancimin e administratës, ka thënë se përzgjedhja e dy shkollave të Mitrovicës për zbatimin e këtij pilot- projketi ka qenë një mirënjohje nga Ministria e Administratës Publike, por edhe Ministria e Arsimit për rolin e madh që kanë dhënë strukturat komunale, por mbi të gjitha mësimdhënësit për procesin mësimor.

Zëvendësministri Mustafa ka ripërsëritur edhe një herë se Ministria e Arsimit ka arritur që të përfundojë trajnimin e mësimdhënësve në fushën e teknologjisë informative, ku mbi 7.500 mësimdhënës janë certifikuar për programet e ECDL, ndërkaq 2500 mësimdhënës të tjerë janë në fazën e përfundimit të trajnimit.

“Avancimi ynë që është bërë me ECDL e lehtëson punën që të zbatohet projekti i “E- shkollave. Me E- shkollat do ta kemi më lehtë ne si Ministri, drejtoria komunale, por do ta kenë më lehtë edhe drejtorët e shkollave dhe prindërit, sepse do të kenë mundësinë që në çdo moment të kenë informacione të cilat u interesojnë rreth mungesave, notave dhe rreth asaj se a po zbatohet apo jo planprogrami në tërësi”, u shpreh Mustafa.

Mustafa theksoi se viti që lamë pas ka qenë i suksesshëm sa i përket përmirësimit të infrastrukturës ligjore, duke përmendur dokumentet strategjike për zhvillimin e arsimit parauniversitar dhe atë të lartë në Kosovë.

Duke vlerësuar lartë kontributin dhe përkushtimin e një pjesë të madhe të mësimdhënësve në Republikën e Kosovës në edukimin e brezave të rinj, Mustafa ka theksuar se cilësia e mësimit në arsim vazhdimisht është duke u përmirësuar.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.