MASHT

U promovua libri “Kosova në krizën Jugosllave” i Prof. Dr. Ramë Buja

21 Dhjetor, 2011

Është promovuar libri “Kosova në krizën Jugosllave”, i autorit Prof.Dr. Ramë Buja. Libri ndahet në shtatë kapituj, me përmbajtje të veçantë faktografike dhe akademike dhe trajton procesin e shtetfotmimit tonë të mbështetur në kapacitetet njerëzore.

Autori i librit, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, pasi ka falënderuar të pranishmit, ka theksuar rëndësinë e ngjarjeve të cilat janë trajtuar në libër, duke thënë se ato përbëjnë një libër e më shumë.

Autori Buja tha se nuk pretendon të shteroj faktet dhe argumentet të cilat janë thënë, porse dëshiron që të përmbledh brenda një libri ecurinë e procesit të pavarësimit të Kosovës.

“Secila prej ngjarjeve që janë përfshirë në libër përbën një libër e më shumë, por pa qenë pretendues i skajshëm për të shteruar ato që janë thënë, kam dashur që në një libër brenda kopertinash të përmbledh diçka që na ka gëzuar të gjithëve skajshmërisht. Nuk kam pretenduar që të shterroj, por kam thënë atë që kam menduar se duhet thënë dhe atë që kam gjetur nëpër arkivat, dokumentacionin që kam konsultuar”, është shprehur autori Buja.

Recensenti i librit, Selim Daci, në fjalën e tij vlerësoi se trajtimi i temës së cilës në mënyrë profesionale i është qasur autori për të arritur përfundime të argumentuara me gjuhën e shkencës, përbënë një punë madhështore për të plotësuar mungesën e studimeve shqiptare për krizën jugosllave dhe qenësisht për Kosovën si pjesë kruciale të kësaj krize.

“Trajtim të veçantë autori dr.Ramë Buja i ka kushtuar sidomos mënyrës së politikbërjes së epokës së titizmit dhe socializmit jugosllav, duke gjurmuar kështu themelet e politikës jugosllave, me qëllim të arritjes së konstatimeve të argumentuara për krizën dhe për pasojat shkatërrimtare që pati ajo për popujt e Jugosllavisë në përgjithësi dhe në pjesën e ndarë të kombit shqiptar në veçanti”, u shpreh profesor Daci.

Njëri nga historianët e diplomacisë, Ibrahim Gashi, tha se libri i cili po promovohet është një përpjekje serioze, për të sjellë para lexuesit, të përmbledhur trajektoren historike nëpër të cilën kaloi Kosova, nga fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë Federative, deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Kryetari i Këshillit Botues të Kolegjit Universitar “AAB- Riinvest”, Masar Stavileci, foli për rëndësinë e këtij libri, në pasqyrimin e gjendjes nëpër të cilën ka kaluar Kosova në rrugëtimin e saj drejt pavarësisë. Stavileci theksoi se, në veprën e Dr. Ramë Bujës, lexuesi do të mësojë deri në hollësi për ecurin e këtij procesi.

“Vendi ynë përbën këtu thelbin e veprës dhe duke qenë në qendër të krzës jugosllave, e cila shkaktoi vdekjen e Jugoslavisë, qoftë dhe vetëm ky fakt e bënë këtë vepër të pakapërcyeshme kur bëhet fjalë për këtë çështje”, tha Stavileci.

Ndryshe, libri “Kosova në krizën Jugosllave”, është ribotim i përpunuar dhe plotësuar. Kapitulli i parë flet për vitet e fundit të Jugosllavisë, aspektet politike, juridike dhe ekonomike. Kapitujt dy deri në gjashtë, janë titulluar ndërkombëtarizimi i krizës dhe shkatërrimi i Jugosllavisë, përfshirë Konferencën e Hagës, Konferencën e Londrës, Konferencën e Dejtonit dhe Konferencën e Rambujesë , ndërsa kapitulli i gjashtë është përmbledhje e zhvillimeve në Kosovën Lindore, ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Unionin Serbi- Mali i Zi. Kapitulli i shtatë përmban aktin e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe bërjen e shtetit të shtetit më të ri në botë, Republikën së Kosovës.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.