MASHT

U PREZANTUA RAPORTI I VLERËSIMIT TË KARTELËS MATËSE TË AUTONOMISË UNIVERSITARE NË KOSOVË

9 Dhjetor, 2021

09 Dhjetor 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në Tryezën ku u prezantua Raporti i Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë së Universiteteve në Kosovë, në kuadër të Projektit “Fuqizimi i autonomisë së universiteteve dhe ngritja e llogaridhënies dhe transparencës në universitetet e Ballkanit Perëndimor – STAND”.

Projekti STAND, i cili koordinohet nga Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë dhe financohet nga BE përmes programit Erasmus Plus, synon vërtetimin e vlefshmërisë së procesit të vlerësimit, të realizuar në universitetet partnere (dhe universitete të tjera jopartnere të ftuara), si dhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI)

Ministrja Nagavci me këtë rast falënderoi partnerët zhvillimor, në veçanti BE-në, që po ndihmojnë në zhvillimin e arsimit të lartë. Ajo theksoi se, MAShTI mirëpret konkluzionet dhe rekomandimet që dalin nga kjo tryezë, në mënyrë që të ndërmarrë masat dhe veprimet e nevojshme në të ardhmen, për të përkrahur tutje autonominë, llogaridhënien, performancën dhe zhvillimin e universiteteve tona.

Nagavci vlerësoi lartë organizimin e kësaj tryeze, e cila siguron një forum të mirë të diskutimit në raport me aspektet qeverisëse dhe zhvillimore të universiteteve në Republikën e Kosovës, posaçërisht në dimensionet e autonomisë dhe llogaridhënies së tyre.

Ministrja po ashtu theksoi faktin se, tanimë është në proces të zhvillimit Plani Strategjik i Arsimit të Lartë në Kosovë për periudhën e ardhshme 2022-2026, në të cilin janë duke u definuar objektivat zhvillimore të arismit të lartë dhe kërkimit, përfshirë edhe masat për mbështetjen e zhvillimit të universiteteve.

Ministrja Nagavci po ashtu tha se, MAShTI është në proces të rishikimit të Ligjit të arsimit të lartë, i cili do të forcojë autonominë e universiteteve, dhe njëkohësisht do të kërkojë që universitetet të rrisin llogaridhënien e tyre karshi shpenzimit të fondeve publike.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti tha se, puna në këtë trevjeçar do të shërbejë që universitetet partnere të shënojnë hapat më të rëndësishëm drejt reformimit të arsimit të lartë.

Për rëndësinë e zbatimit të Projektit sa i përket reformës në arsimin e lartë në Kosovë foli edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Stergios Tragoudas.

Last modified: 6 Qershor, 2022

Comments are closed.