U përurua objekti i ri i shkollës “Dëshmorët e fshatit Bubavec”

07 Nentor 2018

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, bashkë me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kanë marrë pjesë në përurimin e objektit të ri të shkollës “Dëshmorët e fshatit Bubavec”, në Bubavec të Malishevës.

Me këtë rast, zëvendësministri Sahiti, në emër të ministrit Bytyqi përcolli urimet për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit e këtij fshati për shkollën e re, ndërsa tha se ndërtimi i këtij objekti modern të jep të kuptosh se sa janë të domosdoshme investimet në fushën e arsimit në mënyrë që të ngrisim cilësinë në arsim.

“Besoj fuqishëm se për të arritur nivele të larta të arsimit në vendin tonë, arsimi duhet të jetë prioritet”, tha zëvendësministri Sahiti dhe theksoi se duke rregulluar dhe zgjeruar infrastrukturën shkollore dhe duke i ngritur kapacitetet profesionale për mësimdhënie dhe mësimnxënie do të ngritet cilësia në arsim.

Zëvendësministri Sahiti përgëzoi kryetarin Begaj që e ka vënë si prioritet arsimin dhe me buxhetin komunal ka investuar për ndërtimin e shumë shkollave të reja.