MASHT

U organizua Dita Informuese e TEMPUS-it

26 Nëntor, 2010

Zyra e TEMPUS-it në Kosovë së bashku me Qendrën Informative Kulturore të Komisionit Evropian kanë organizuar Ditën Informative të programit të TEMPUS-it ku janë prezantuar të arriturat e këtij programi në Kosovë, si dhe konkursi për projektpropozime të reja, i cili do të jetë i hapur deri më 15 shkurt të vitit 2011.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, falënderoi Komisionin Evropian për mbështetjen e fuqishme që po i bën sistemit arsimit të lartë në Kosovë përmes programeve të TEMPUS-it.

“Republika e Kosovës është në proces të reformimit të arsimit të lartë në përputhje me Deklaratën e Bolonjës dhe gjatë tërë kësaj kohe është bërë një progres jashtëzakonisht i madh dhe qëllimi i Strategjisë për arsimin e lartë dhe qëllimi i reformave në përputhje me Deklaratën e Bolonjës është që ne si shtet dhe shoqëri e re ta kemi një sistem bashkëkohor të arsimit të lartë”.

Ministri Hoxhaj përmendi disa elemente kyçe të Strategjisë për arsimin e lartë që është në implementim e sipër, e që është pjesë e programit të Qeverisë, elemente të cilat elemente përputhen dhe përshtaten edhe me profilin e programit TEMPUS dhe me objektivat e procesit të Bolonjës.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova po ashtu falënderoi Komisionin Evropian për mbështetjen që po i jep arsimit të lartë në Kosovë dhe siguroi se mjetet e tyre po shkojnë dhe do të shkojnë aty ku janë të destinuara, në funksion të përparimit të arsimit të lartë dhe shkencës.

Shefi i Zyrës së Operacioneve te Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Bjornsson, tha se institucionet e arsimit të lartë në Kosovë po përfitojnë nga programet e bashkëpunimit më institucionet ndërkombëtare përmes programeve të TEMPUS-it. “Raundi i katërt i programit të TEMPUS-it ofron 5 milion euro, nga të cilat 2 milion euro janë të dedikuara për sistemin e arsimit të lartë në Kosovë, ndërsa 3 mijë euro është shuma minimale e projekteve. Institucionet e arsimit të lartë kanë një afat të fundit dhe ato mund të jenë publike dhe private. Puna jonë është që të sigurojmë lidhje mes instrumenteve ekzistuese përmes programeve të TEMPUS-it dhe programit të IPA-s”, theksoi ai.

Bjorsson inkurajoi institucionet e arsimit të lartë që të bëjnë konceptet e projekteve dhe të shohin se si mund të përputhen ato me prioritetet e Kosovës.

Kimete Canaj, koordinatore e programit të TEMPUS-it për Kosovë, tha se duke iu falënderuar një bashkëpunimi të ngushtë që kemi me institucionet e arsimit të lartë, janë arritur shumë ndryshime në modernizimin dhe reformimin e kurrikulumit, në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, mobilitetin e studentëve dhe personelit akademik, modernizimin e laboratorëve dhe internacionalizimin e institucioneve të arsimit të lartë.

“Qëllimi i programit të TEMPUS-it, është përkrahja në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë, krijimi i partneritetit në mes të institucioneve të arsimit të lartë në regjion, në Evropë dhe në vendet e industrializuara si dhe bashkëpunimi i institucioneve të arsimit të lartë me ekonominë dhe shoqërinë”, tha ajo.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.