MASHT

U hap Panairi i 5-të i Firmave Ushtrimore në Kosovë

31 Mars, 2011

Rreth 80 Firma Ushtrimore, kanë ekspozuar produkte të ndryshme në Panairin e Firmave Ushtrimore 2011, i cili është hapur sot në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve në Prishtinës, i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Qendra Kosovare e Firmave Ushtrimore, në bashkëpunim me KulturKontakt Austria dhe Sëisscontact

Në ceremoninë e hapjes së panairit, i cili do të qëndrojë i hapur dy ditë, në emër të ministrit Ramë Buja, i përshëndeti të pranishmit këshilltari i tij, Nehat Mustafa, i cili po ashtu falenderoi shumë partnerët e këtij projekti. Ai tha se qellimi i Firmave Ushtrimore është që nxënësit të përgatiten për tregun e punës, duke filluar nga idea për zhvillimin e një biznesi. “Ata me këtë mundësi që ju ofrohet, do jenë të gatshëm të punojnë në çdo department të ndërmarrjeve, në istitucione dhe të hapin edhe bizneset e tyre, që është edhe qëllimi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe synim i Ministrisë së Arsimit”, tha ai.
Mustafa theksoi se përfituesi më i madh i këtij programi është vetë shkolla, meqë ka pasur rast të trajnojë mësimdhënësit, të avancojë arsimin dhe praktikën profesionale, t’ju ofrojë nxënësve mundësinë për përmbushjen deri në një nivel të praktikës profesionale.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, tha se ky është një projekt për zemër që ka Austria dhe shprehu gatishmërinë që edhe më tutje të jenë partner në këtë projekt. Ai bëri të ditur se që nga viti 2005 është investuar rreth 1 milion euro dhe në kuadër të të cilit janë trajnuar rreth 12 drejtorë, rreth 100 mësimdhënës dhe mbi 10 mijë nxënësve iu është krijuar mundësia që ta kenë kënaqësinë që të marrin një aftësim profesional, që iu lehtëson rrugën për në tregun e punës. “Me këto projekte duhet t’i jepet rinisë një perspektivë, të kemi shpresa për të ardhmen, sepse ju të rinjtë jeni e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës”, tha ai, dhe theksoi se kjo funksionon kaq mirë falë bashkëpunimit të mirë të institucioneve të implikuara”.
Ambasadori i Zvicrës, Lukas Beglinger, tha se në botën e sotme konkurrente, edukimi është bërë çelësi i së ardhmes dhe është shumë e rëndësishme që edhe Qeveria e Kosovës e ka këtë një ndër prioritetet. “Është e rëndësishme që të sigurohemi që arsimi profesional t’i përshtatet nevojave të tregut të punës dhe ky panair është lidhja kryesore mes edukimit dhe tregut të punës”, tha ai, ndërsa theksoi se shteti i tij do të vazhdojë ta përkrahë këtë projekt edhe më tutje përmes Swisscontact-it.
Ndërsa, në emër të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, drejtori komunal i Arsimit Remzi Salihu falënderoi partnerët ndërkombëtar dhe vendor që kanë mundësuar zhvillimin e Firmave Ushtrimore, por edhe të këtij Panairi.
Firma Ushtrimore është formë e re mësimore, në kuadër të së cilës përkrahet dhe nxitet mësimi praktik, i cili simulon biznesin real dhe mendimin ndërmarrësor. Në Firmën Ushtrimore ushtrohen procedurat reale të punës së ndërmarrjeve si dhe iu mësohën nxënësve kualifikimet e nevojshme për tregun modern të punës.
Lënda Firmë Ushtrimore implementohet që nga viti 2004 në Kosovë nga Sëisscontact dhe KulturKontakt Austria për kryerjën e praktikës profesionale, si dhe nga viti 2009 edhe nga DANIDA. Deri më tani është implementuar në 15 Shkolla të mesme ekonomike të Kosovës (Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Podujevë, Malishëvë/Kijevë Dragash, Lipjan, Vushtrri, Fushë Kosovë, Skënderaj dhe Drenas) dhe 5 shkolla bujqësore (Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Gjilan dhe Vushtrri). Përpos këtyre ka filluar trajnimi edhe themelimi i firmave ushtrimore edhe për klasët në gjuhën boshnjake në Prizren, Pejë dhe Dragash 
Në këtë panair po marrin pjesë edhe Firma Ushtrimore nga Shqipëria.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.