MASHT

Shkollat profesionale obligohen të hartojnë raporte vetëvlerësimi

29 Mars, 2011

Duke filluar nga shtatori i këtij viti, 60 shkollat profesionale sa ka Kosova, do të jenë të obliguara që të bëjnë raporte vetëvlerësimi, në funksion të rritjes së cilësisë në këtë fushë të arsimit të mesëm.

Kjo u bë e ditur gjatë punëtorisë katërditore, ku ishin të përfshirë inspektorët e arsimit profesional, drejtorët e shkollave profesionale dhe koordinatorët e emëruar nga vet shkollat që do të koordinojnë këtë proces.

Ditën e fundit të punëtorisë e ka përshëndetur sot edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili me këtë rast theksoi edhe një herë synimin e MASHT-it, që është ngritja e cilësisë në arsim. “Kjo kërkesë për vetëvlerësimin e shkollave profesionale, koincidon edhe më synimin tonë për ngritje të cilësisë, sepse vlerësojmë se në këtë drejtim ka ende punë për të bërë, pasi që është bërë një punë e mirë sa i përket infrastrukturës”, tha ai.

Ministri theksoi se pa dashur të adresohet faji në çështjen e sigurimit të cilësisë, të punohet seriozisht për të arritur këtë qëllim në të gjitha nivelet e arsimit, pra që nga arsimi i ulët e deri te ai i larti.

Ministri Buja theksoi se në arsimin profesional janë bërë përparime të dukshme, por tha se ende ka shteg për të ecur përpara. “Në shkollat profesionale lejohet mundësia e hapjes së portave të reja, në mënyrë që nxënësit të bëhen sa më shumë kompetent për drejtimet që kanë zgjedhur”.

Duke e theksuar rëndësinë që ka arsimi profesional, ministri Buja, iu tha përfaqësuesve të shkollave profesionale, se do të kenë mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe të parezervë në drejtim të sigurimit të cilësisë, respektivisht ngritjes së shkollave që i udhëheqin.

Ndërsa, Valbona Fetiu Mjeku, udhëheqëse e Zyrës për Arsim dhe Aftësim Profesional në MASHT, bëri të ditur se ky proces është përkrahur nga Komisioni Evropian dhe ka pasur sukses në shkollat pilot dhe është parë si i domosdoshëm. “Prandaj, që nga shtatori i këtij viti, shkollat profesionale do të bëjnë vetëvlerësim, në mënyrë që të raportohen të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet kjo fushë e arsimit, e po ashtu edhe të krijohen mekanizma për rregullimin dhe ngritjen e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve”, tha ajo.

Për katër ditë sa është mbajtur kjo punëtori, pjesëmarrësit kanë diskutuar problemet, me të cilat përballet shkolla profesionale dhe mundësitë për t’i zbutur dhe tejkaluar ato.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.