MASHT

Rreth 50 nxënës shqiptarë nga Gjermania vizituan Ministrinë e Arsimit

24 Tetor, 2011

Ndërkohë, zëvendësministri i Arsimit për Komunitete, Usmen Baldzi i ka dorëzuar sot Ministrisë së Diasporës tekste shkollore për nxënësit që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën boshnjake në Zvicërr

Rreth 50 nxënës shqiptarë të Shkollave Shqipe të Mësimit Plotësues të qyteteve të ndryshme të Gjermanisë dhe mësuesit e tyre Xhemshir Haziri, Sylejman Salihu, Ali Hajrizi dhe Rami Azizi, në kuadër të një ekskursioni njëjavor, i cili ka karakter njohës-mësimor, janë pritur sot nga drejtues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në emër të ministrit të Arsimit, Ramë Buja, ka folur këshilltari, Ragip Gjoshi, i cili vlerësoi se shkollat në Kosovë tani u ngjasojnë shumë shkollave në Gjermani, në të cilat nxënësit shqiptarë vijojnë mësimet.

Këshilltari Gjoshi vlerësoi punën e Ministrisë së Arsimit, e cila përmes sektorit përkatës dhe në bashkëpunim me mësuesit dhe prindërit e fëmijëve që jetojnë në diasporë është përkujdesur që të ruaj traditën, doket, zakonet dhe gjuhën e të parëve tanë. “Dëshirojmë që ju në Gjermani të arrini dijen e barasvlefshme me bashkëmoshatarët tuaj dhe një ditë të ktheheni në Kosovë, sepse Kosovës më shumë se çdo gjë, më tepër se uji dhe buka i duhet dije në këtë fazë të zhvillimeve dhe ecjes”, theksoi Gjoshi.

Kryetari i Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Gjermani, Xhemshir Haziri ka falënderuar MASHT-in për mikëpritje dhe për mështetjen e vazhdueshme që po i jep mësimit plotësues në diasporë.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, zëvendësministri i Arsimit për Komunitete, Usmen Baldzi, i ka dorëzuar zëvendësministrit të Diasporës tekste shkollore në gjuhën boshanjke, të cilat do t’iu dërgohen nxënësve që ndjekin mësimin plotësues në diasporë në gjuhën boshnjake. Qëllimi i këtij aktiviteti është që nxënësit e komunitetit boshjak që jetojnë në Zvicërr të mos e harrojnë gjuhën dhe t’i qasen më lehtë mësimit.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.