Reagim ndaj kronikës së transmetuar në emisionin ARKIVI të RTK-së, me titullin e postuar në YouTube ''SHKOLLAT PROFESIONALE & QAZIM DUSHKU'' të datës 24.12.2018

26 Dhjetor 2018

Me qëllim të sqarimit të opinionit publik rreth deklaratës së autorit të emisionit në fjalë, ku në një rast thekson se “në këtë emision ka qenë i ftuar edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, por ai pa asnjë paralajmërim nuk erdhi në emisionin ARKIVI, duke treguar kështu papërgjegjshmërinë e tij dhe të kabinetit, njëherë duke e konfirmuar, e pastaj duke mos paralajmëruar fare për mosprezencë”.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sqaron se është e vërtetë që ne fillimisht e kemi konfirmuar pjesëmarrjen e ministrit Bytyqi në emisionin ARKIVI, i planifikuar të xhirohet më 28 nëntor 2018, mirëpo është plotësisht e pavërtetë se nuk e kemi njoftuar për mospjesëmarrje në këtë emision.

Për korrektësi në raport me opinionin publik, ju sqarojmë se, më datë 27 nëntor 2018, udhëheqësja e Divizionit për Komunikim me Publikun në MAShT, znj. Besa Bytyçi, e ka telefonuar dhe i ka dërguar mesazh njoftues z. Xheladin Rexhepi, (personi të cilit edhe ia kemi konfirmuar fillimisht pjesëmarrjen, me numër telefoni 045145399), se ministri Bytyqi nesër e ka të pamundur me qenë në xhirimet e emisionit për arsye shëndetësore.

Me qëllim të ruajtjes, thellimit të bashkëpunimit dhe besueshmërisë, kërkojmë nga televizioni publik RTK, që ta publikojë këtë reagim dhe të largojë pjesën e deklaratës së lartëcekur nga të gjitha faqet elektronike të televizionit RTK.