MASHT

PUPOVCI: TESTIT TË MATURËS KËTË VIT DO T’I NËNSHTROHEN MBI 23 MIJË MATURANTË

25 Qershor, 2021

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, në konferencën që është mbajtur sot ka folur për procesin e organizmit të testit “Matura Shtetërore 2021”, veprimet dhe hapat e nevojshëm për të siguruar testim të drejtë dhe të besueshëm.

Zëvendësministri Pupovci me këtë rast ka theksuar se këtë vit testit të maturës do t’i nënshtrohen 23.651 maturantë, në 177 qendra të testimit. Ai po ashtu bëri të ditur se në proces janë angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikëqyrës, 200 vëzhgues dhe se rezultatet e testit pritet që të shpallen më 5 korrik.

Zëvendësministri Pupovci i ka ftuar prindërit që të jenë të kujdesshëm dhe të mos i lejojnë fëmijët që të marrin telefona në testim, pasi secilit maturant të cilit i gjendet telefoni do të largohet nga provimi.

Pupovci po ashtu i ka lutur administruesit dhe mbikëqyrësit që të jenë në nivel të detyrës dhe të mos lejojnë që të vihet në pikëpyetje besueshmëria e provimit.

Ndër të tjera, zëvendësministri Pupovci ka rikujtuar se gjatë kësaj jave është miratuar Nisma për marrëveshjen për fitimin e statusit të asociuar për Republikën e Kosovës në Programin “Horizon Europe”, e që është programi kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e punës kërkimore dhe inovacionit, si dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit mes MAShTI dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), projekt i cili do të kontribuojë në sistemin e arsimit të lartë dhe të kërkimeve shkencore në Kosovë.

Pupovci gjithashtu tha se një vendim tjetër i rëndësishëm që është marrë gjatë kësaj jave është edhe konstitutimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.