Prezantohet Raporti i auditorit për vitin 2009

06 Korrik 2010

Raporti i auditimit për pasqyrat financiare të MASHT-it për fundvitin 31 dhjetor 2009, është prezantuar sot në një konferencë me gazetarë, ku ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj ka theksuar konstatimin e auditorit se pasqyrat financiare me të gjitha aspektet materiale prezantojnë një pamje të drejtë për punën e MASHT-it dhe gjatë kësaj kohe të gjitha procedurat dhe rregullat kanë respektuar ligjet në fuqi.

Në raportin e auditimit për vitin 2009 janë dhënë 14 rekomandime, nga të cilat 8 janë zbatuar, ndërsa 6 të tjera pritet të realizohen gjatë kësaj kohe.

"Auditori ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë dhe profesionale çka e falënderojmë për këtë qasje profesionale dhe për këtë punë të drejtë", tha ministri Hoxhaj, i cili zbatimin e 8 rekomandimeve e vlerësoi si progres, por theksoi se MASHT-i do të bëjë përpjekje maksimale që t'i jetësojë rekomandimet, të cilat mbeten të jetësohen gjatë vitin 2010.

MASHT ka shpenzuar në vitin paraprak buxhetin prej 92 për qind, që është vlerësuar nga auditori si performancë e mirë, mirëpo, ministri Hoxhaj përmendi edhe konstatimet e këtij auditori për një varg sfidash, si mungesën e kontrollit të dosjeve të personelit të punësuar në ministri, shpenzime të telefonisë që janë më të larta se sa do të duhej të ishin dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar nga MASHT-i edhe kontroll më të mirë të kontratave mbi vepër.

"Më lejoni të them se sa i përket shpenzimeve të telefonisë mobile, ne si ministri kemi gjysmë milioni njerëz në shkollat fillore, të mesme dhe arsimin e lartë, prandaj edhe shumica e thirrjeve telefonike që janë thirrje të stafit, kanë të bëjnë me nostrifikim të diplomave, me shërbime të ndryshme që Ministria duhet t'i ofrojë karshi qytetarëve të Kosovës, ndërsa në kontratat mbi vepër, paguhen shumë ekspertë që punojnë në MASHT, ata që merren me procesin e akreditimit, ata të cilët merren me nostrifikimin e diplomave dhe ekspertë të tjerë, të cilët neve në baza ditore na ndihmojnë që ta përdorim dijen e tyre për reformimin e sistemit arsimor", ka sqaruar ministri.

Ministri Hoxhaj ka vlerësuar se Raporti i auditorit ofron një pasqyrim objektiv të punës që ka bërë MASHT-i. "Ne jemi një shtet i ri, në ndërtim e sipër dhe kapacitetet administrative dhe njerëzore të kësaj ministrie janë në ndërtim e sipër", tha ministri i Arsimit.