MASHT

Panairi i Edukimit një mundësi e mirë për orientim dhe sukses në karrierë

6 Prill, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Islam Lauka, promovuan  “Panairin e Edukimit”,  i cili si zakonisht mbahet nën patronatin e MASHT-it me organizim të përbashkët me CEO & Congress.

Në këtë panair, institucionet arsimore vendore dhe ndërkombëtare, shpalosën programet dhe ofertat e tyre për studime universitare dhe pasuniversitare, aktivitete dhe kualifikime tjera të niveleve dhe profileve të ndryshme.

Ministri Buja, me rastin e hapjes së këtij panairi ndër tjera tha se, “për ata djem e vajza që dëshirojnë të shkojnë për shkollim kudo në botë,ky është një rast i mirë të njihen me oferta konkrete. Panairi i Edukimit, i cili sivjet po organizohet për të katërtën herë është mundësi e mirë për të gjithë, studentë dhe prindër për zgjedhjet e duhura.

Këtu gjejmë informacionin burimor për të gjitha rrjedhat arsimore. Besoj se, pasuria që është ekspozuar këtu është pasuri e njohurive tona, pasuri e të gjithë atyre që janë të gatshëm për të studiuar. Unë besoj se në të ardhmen, ky panair do të jetë edhe më i pasur, dhe shtoi se, patjetër që kjo dhe aktivitete të ngjashme do të na shërbejnë mirë për kauzën, moton tonë – Kosova Shtet i Dijes”,- ka përfunduar ministri Buja.

Panairi, tashmë ka filluar të shërbejë si platformë e mirë për promovimin e arsimit në vend,njëherësh studentëve ju ofron mundësi të shohin oferta të tjera për orientim të suksesshëm në karrierë .
Përveç institucioneve arsimore, në “Panairin e Edukimit”, prezantuan edhe agjenci të ndryshme dhe institucione tjera publike e private, vendore dhe të huaja të cilat ofrojnë edhe trajnime të ndryshme profesionale për të rinjtë. Krahas Panairit të Edukimit, sivjet është organizuar edhe Panairi i Turizmit dhe Udhëtimeve .

Panairi i Edukimit është hapur në ambiente të Pallatit te Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë deri me datë 8 prill 2011.

Gjatë ditës së sotme MASHT ka hapur edhe Panairin për Ndërmarrësi

Panairi i Ndërmarrjeve të Nxënësve është faza e parafundit e punës ekipore të Kompanive të nxënësve, ku secila prezanton karakteristikat dhe kreativitetin e produkteve/shërbimeve të tyre, si dhe realizon shitjen e këtyre produkteve në tregun ekzistues. Oferta duhet të jetë atraktive, bindëse dhe t’i përshtatet standardeve të tregut. 
Fjalën e hapjes e mbajti Ragip Gjoshi, këshilltar politik në MASHT, i cili tha se ky panair është rezultat i punës së palodhshme të dhe aftësive kreative të nxënësve dhe arsimimit e aftësimit të nxënësve me metoda bashkëkohore të mësimdhënies.

Panairi i Ndërmarrjeve të nxënësve do tu shërbej atyre si provë për testimin e funksionalitetit të idesë së tyre dhe faktor për matjen e suksesit të biznesit me të cilin planifikojnë të merren në të ardhmen e tyre. 
Njëkohësisht ky rast mund të shfrytëzohet si shembull për shkollat dhe organizatat e ndryshme të të rinjve në Kosovë që të fillojnë të merren seriozisht me problemet e të rinjve, e sidomos me papunësinë.

Deri tani janë realizuar tre Panaire si dhe janë duke u bërë përgatitjet e fundit për Panairin e katërt të Kompanive të Nxënësve.

Panairi i katërt do te mbahet më 06.04.2011, ku do te prezantohen 48 kompani studentore me gjithsejt 208 nxënës nga 14 Shkolla te mesme te shtatë Komunave të republikës së Kosovës .
Ky panair është hapur në Hallën e Sporteve “1 Tetori” në Prishtinë.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.