MASHT

Ofrohen 43 bursa për studime në Universitetin e Sheffieldit

19 Prill, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja dhe drejtori i Kolegjit “City” (fakultet ndërkombëtar i Universitetit të Sheffieldit), Ioannis Ververdis, nënshkruan sot një protokoll bashkëpunimi, me të cilin ofrohen 43 bursa për studime në këtë universitet të Selanikut.

Bursat do të jenë në dispozicion të kandidatëve kosovar dhe ato ofrohen si bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës, respektivisht MASHT-it dhe Universitetit të Sheffieldit.

Pas ceremonisë së nënshkrimit të këtij protokolli, ministri Ramë Buja shprehu kënaqësinë e tij për këtë marrëveshje, për të cilën tha se do të jetë e realizueshme deri në fund të këtij viti. “Të gjithë studentët tanë që kanë studiuar në këtë universitet, janë kthyer të suksesshëm dhe janë duke e dhënë të mirën e diturisë për Kosovën në të gjitha lëmitë që kanë studiuar ata”, tha ministri Buja, ndërsa u shpreh shumë falënderues ndaj këtij Universiteti, i cili po vazhdon ta ndihmojë arsimin në Kosovë në mënyrë tradicionale.

Ndërsa, përfaqësuesi i Universitetit të Sheffielit, Ioannis Ververdis, theksoi se mundësia për dhënien e këtyre bursave është realizuar falë ministrit Buja dhe tha se kjo është një mundësi e mirë për zhvillimin e njerëzve, shoqërisë dhe vendit në përgjithësi. Ai theksoi se mundësia për të fituar një nga 43 bursat është e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe tha se do të përzgjidhen ata që e meritojnë, gjë të cilën e premtoi edhe ministri Buja.

Ververdis tha se Universiteti i Sheffieldit është renditur në listën e 70 universiteteve më të mira në botë, nga 10 mijë universitete që ekzistojnë në botë. “Nuk ka asgjë më të rëndësishme se ndërkombëtarizimi dhe mundësia që iu jepet të rinjve për të përjetuar arsimimin ndërkombëtar”, tha ai.

Kemi një numër të madh të studentëve që kanë diplomuar nga Kosova, tha Ververdis, dhe janë në pozita të larta të institucioneve shtetërore, luajnë një rol të rëndësishëm në jetën kosovare dhe kontribuojnë në zhvillimin e shtetit dhe të gjithë rajonit. “Fundja ky edhe është qëllimi i arsimimit”, theksoi ai.

Sipas protokollit të nënshkruar sot, nga 43 bursat që do të jenë në dispozicion për kandidatët nga Kosova, 20 janë për studimet bachelor, 20 për studime master dhe tri bursa për doktoraturë.

Për studime themelore dhe ato master, është dhënë mundësia për bursë në programet e tri departamenteve sa ka City Kolegj i Universitetit të Sheffieldit: Departamenti i Administrimit të Biznesit dhe Ekonomisë, Departamenti i Shkencave Kompjuterike dhe Departamenti i Psikologjisë. Ndërsa, 3 bursat e studimeve të doktoraturës ofrohen në Qendrën Hulumtuese të Evropës Juglindore, e cila funksionon në Universitetin e Sheffieldit.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.