MASHT

NGA 779 SHKOLLA FILLORE DHE TE MESME, 539 PO PUNOJNË SIPAS SKENARIT RIKTHIMI

15 Tetor, 2021

15 Tetor 2021

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka mbajtur konferencën e rregullt për media ku ka folur në lidhje me ecurinë e procesit mësimor në dy javët e para, tekstet mësimore, vaksinimin e mësimdhënësve dhe vendimin e MAShTI-it për organizimin e procesit mësimor një ditë pas zgjedhjeve komunale.

Pupovci ka bërë të ditur se nga 779 shkolla fillore dhe të mesme sa janë në Kosovë, 539 (69.2%) punojnë me skenarin e rikthimit të plotë, pra i zhvillojnë orët mësimore të plota me prezencë të gjithë nxënësve.

Për zbatimin e skenarëve, sipas tij, varësisht nga situata epidemiologjike, po kujdeset task forca në nivel të institucionit, në bashkëpunim me task forcën në nivel të Drejtorisë Komunale për Arsim.

Sa i përket organizimit të mësimit ditën e hënë, zv/ministri Pupovci ka theksuar se, komunat janë njoftuar me kohë që shkollat të cilat më datë 17 tetor do të jenë qendra të votimit, mësimin më datën 18 tetor ta zhvillojnë sipas skenarit C, ndërsa shkollat të cilat nuk janë qendra të votimit, procesin mësimor e vijojnë sipas planifikimeve paraprake. 

Pupovci po ashtu foli edhe për vazhdimin e emetimit të video-mësimeve në RTK4 sipas orarit të publikuar nga Ministria, gjë që lehtëson kalimin në skenarin C (mësimi në distancë), nëse paraqitet nevoja.

Duke folur për pajisjen e nxënësve me tekste mësimore pas disa shqetësimeve të ngritura nga ana e prindërve dhe njoftimeve nga mësimdhënësit, Zëvendësministri bëri të ditur se më 15 qershor Ministria i ka informuar të gjitha DKA-të se, konform Udhëzimit Administrativ 13/2016, shkollat do të furnizohen me tekste të reja për klasat 1-5 dhe 8, ndërsa për nxënësit e klasave 6, 7 dhe 9 duhet të shpërndahen tekstet nga viti paraprak, me përjashtim teksteve alternative. Ai tha se të gjitha tekstet janë shpërndarë në bazë të kërkesave të DKA-ve të dorëzuara në muajin qershor, por nga vizitat në terren tani mund të konstatohet se jo të gjitha DKA-të kanë bërë kërkes të sakta në raport me numrin e nxënësve.

Sa i përket procesit të vaksinimit të mësidhënësve, Pupovci ka thënë se, bazuar në të dhënat e dorëzuara nga 16 komuna (me gjithsej 17,863 mësimdhënës e që përbëjnë 78% të numrit të përgjithshëm), shkalla e vaksinimit të mësimdhënësve me njërën dozë është mjaft e lartë,  94.6%, ndërkaq 81.3% janë vaksinuar me të dy dozat.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.