MASHT

NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË FËMIJËVE U PËRURUA ÇERDHJA E PARË PUBLIKE NË PRIZREN

1 Qershor, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, kanë përuruar çerdhen e parë publike në Prizren, e cila do të bëj edukimin e 240 fëmijëve, në 12 paralele në tri gjuhë.

Nga aty, kryeministri Kurti, ministrja Nagavci dhe kryetari Haskuka kanë uruar të gjithë fëmijët e Kosovës për ditën e tyre, ndërsa kanë premtuar përkujdesje institucionale për çdo fëmijë.

Kryeministri Kurti, me këtë rast, theksoi se në programin qeveritar u është kushtuar vëmendje e veçantë fëmijëve ku atyre deri 2 vjet do t’u ndahen 20 euro në muaj derisa premtoi se do hapen 160 çerdhe të reja për 4 vitet e ardhshme.

Kryeministri Kurti, ndër të tjera tha se, e ardhmja e fëmijëve tanë varet nga kujdesi dhe edukimi që ata marrin sot, andaj edukimi cilësor nuk duhet të jetë privilegj për disa fëmijë, por e drejtë e garantuar me ligj e secilit.

Ministrja Nagavci uroi fëmijët, edukatorët dhe prindërit, ndërsa theksoi rëndësinë e ndërveprimit të fëmijëve të vegjël me edukatorët, të cilët së bashku me institucionin parashkollor mund të ndryshojnë trajektoren e zhvillimit të një fëmije, familjes dhe komunitetit në përgjithësi.

Ministrja përmendi edhe gjendjen jo të mirë në edukimin parashkollor, ku sipas statistikave zyrtare vetëm 7 përqind e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç vijojnë ndonjë formë të edukimit parashkollor, ndërkaq gjendja me grupmoshën 3-6 vjeç është prej 38 përqind.

Sa i përket shkallës së ulët të vijimit në edukimin parashkollor, Ministrja tha se e kemi për obligim ta ndryshojmë këtë realitet ku përmendi hapjen e çerdheve të reja, dhe njëkohësisht tha se do ta bëjmë të mundur ndërtimin e një sistemi të drejtë të pagesës së shërbimeve në çerdhet publike, varësisht nga mundësitë financiare të familjes, përfshirë edhe lirimin e plotë nga obligimi i pagesës për kategori të caktuara.

Edhe kryetari Haskuka theksoi se kjo është ngjarje e rëndësishme për komunën e Prizrenit, pasi që e drejta e fëmijëve për t’u përfshirë në edukimin e hershëm ishte mohuar në Prizren për 20 vjet.

Kryeministri Kurti, ministrja Nagavci dhe kryetari Haskuka më pas kanë vizituar Parkun e Biznesit në Prizren, ku tashmë po kryhen punimet për hapjen e zonës ekonomike, e më pas kanë vizituar edhe fshatin Kabash të kësaj komune.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.