MASHT

NË 29 KOMUNA TË KOSOVËS U MBAJT TESTI I MATURËS

5 Qershor, 2010

Rreth 28 mijë maturantë, i janë nënshtruar sot testit të maturës në 29 komuna të Republikës së Kosovës. Në të gjitha komunat provimi i maturës ka filluar me kohë, pra në orën 10:00, siç edhe ishte e paraparë dhe ka zgjatur 180 minuta.

Gjatë këtij procesi, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik, me disa defekte të vogla, i cili nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e procesit.

Gjatë kësaj dite, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, së bashku me zëvendësministrin Agim Hyseni dhe kryetarin e Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës (KQSHM), Nehat Mustafa kanë vizituar qendrën e testimit në shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj, ku provimit të maturës i janë nënshtruar maturantët e gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”.

Ministri me bashkëpunëtorët ka vizituar disa klasë, ku nga nxënësit është informuar se janë të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit dhe nga të cilët, po ashtu ka marrë pohimin se pyetjet e testit janë të qarta dhe nuk po ballafaqohen me ndonjë vështirësi.


Ministri Hoxhaj, më pas është deklaruar edhe për media, me ç’rast theksoi se duke filluar nga viti 2009, shkollat e mesme, maturantët, kanë qenë të informuar me kohë rreth testeve të cilat do të ofrohen dhe përmbajtjeve që duhet të përpunohen. “Kemi filluar një fushatë informimi dhe vetëdijesimi nga dhjetori 2009 në të gjitha shkollat e mesme, ku Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës ka përcjellë materiale dhe ka debatuar me nxënësit. Përveç kësaj, kemi hartuar edhe një program orientues në të cilin janë të dhëna temat nga të cilat mund të bien pyetjet”, tha ai, ndërsa theksoi faktin se është viti i tretë që matura shtetërore në Kosovë organizohet në përputhje me Ligjin mbi Maturën. 

“Provimi i maturës është një provim i cili synon t’i masë dijet, shkathtësitë, mënyrën e të menduarit, mënyrën e të reflektuarit, se sa nxënësit tanë janë mendimtarë kreativë, komunikues efikas dhe sa janë pragmatik në zgjidhjen e problemeve jetësore. Matura e matë pjekurinë e një nxënësi, pasi ta ketë përfunduar shkollën fillore dhe atë të mesme dhe shërben si standard për të gjithë ata që dëshirojnë të regjistrohen në arsimin e lartë”, tha ministri Hoxhaj, ndërsa vlerësoi se matura shtetërore është ndër reformat më thelbësore që mund të ketë një vend i ri.

Nehat Mustafa, kryetar i KQSHM-së theksoi se, kësaj radhe janë bërë përgatitje shumë më të mira se vitet e kaluara, sepse tanimë është krijuar një përvojë dhe janë identifikuar defektet që janë paraqitur viteve të kaluara. “E gjithë kjo, na ka ndihmuar që sot të jemi shumë më të përgatitur dhe më të relaksuar. Natyrisht, presim që edhe rezultatet do të jenë më të mira, sepse kemi parë një seriozitet shumë më të madh të treguar edhe nga drejtoritë komunale të arsimit, por edhe nga shkollat, të cilat kanë organizuar mësime plotësuese për maturantët”. 

Këtë vit janë përgatitur 8 lloj teste (4 lloj teste për gjimnazet dhe 4 të tjera për shkollat profesionale). Testet janë përgatitur në 3 gjuhë (shqipe, boshnjake dhe turke) si dhe 1 drejtim në gjuhën angleze (sipas kërkesave).

Provimi i maturës është organizuar në 105 qendra testimi (1600 dhoma testimi). Për mbarëvajtjen e testit të maturës janë angazhuar rreth 3200 administrues dhe vëzhgues, 354 komisionarë, 105 monitorues dhe 50 monitorues qendror (ministri dhe kabineti i tij, anëtarët e KQSHM-së, drejtorët e departamenteve dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës – Komisioni për arsim). 

Publikimi i rezultateve të provimit të maturës do të bëhet më 15 qershor, ndërsa për 5 ditë më pas do të jetë periudha e ankesave dhe çdo maturanti që ankohet do t’i jepet mundësia që ta sheh testin e vet.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.