MASHT

MINISTRJA NAGAVCI ZOTOHET PËR SIGURIMIN E MIRËQENIES DHE EDUKIMIT CILËSOR PËR FËMIJËT

2 Qershor, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe të Drejtat e Fëmijëve e organizuar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Në një fjalë rasti, ministrja Nagavci tha se e mbështetë metodën shkencore që i ka bërë bashkë, hulumtues, profesorë, studentë e madje edhe fëmijë vendorë e ndërkombëtarë dhe se ngjarje si kjo do të na ndihmojnë në vendimmarrjen tonë.

Ajo shtoi se në sigurimin e mirëqenies dhe edukimit cilësor të fëmijëve, rëndësi të jashtëzakonshme ka edhe roli i mësimdhënësve teksa tha se synim i Ministrisë është rritja e bashkëpunimit me prindërit dhe mësimdhënësit.

Ministrja Nagavci theksoi se, është obligim institucional që të kujdesemi për llogaridhënien dhe zbatimin e politikave të cilat i mbrojnë të drejtat e fëmijëve.

Ndër të tjera tha se, Qeveria ka politika të qarta për rritjen e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes në arsim dhe gjithashtu për parandalimin e braktisjes së shkollës dhe mbrojtjen e fëmijëve nga punësimi i parakohshëm.

Ministrja tha se do të përkujdesemi për të rritur përgjegjësinë dhe llogaridhënien në zbatimin e të drejtave të fëmijëve që i kemi pjesë të politikave arsimore, sipas kornizës tonë ligjore dhe instrumenteve ndërkombëtare, veçanërisht Konventës për të drejtat e fëmijës.

Ministrja Nagavci bëri të ditur se është duke u punuar në Udhëzimin Administrativ për zbatimin e programit për mbështetjen e mësimdhënies së bazuar në punë hulumtuese i cili ka për qëllim të inkurajoj përfshirjen e hulumtimit në mësimdhënie në universitet.

Udhëzimi synon të mbështesë mësimdhënësit në dy forma, fillimisht përmes granteve të vogla për realizimin e projekteve hulumtuese në kuadër të zhvillimit të lëndës dhe po ashtu, përmes shpërblimeve për mësimdhënësit më të dalluar në aplikim të hulumtimit në mësimdhënie.

Konferenca Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe të Drejtat e Fëmijëve është organizuar nën përkujdesjen e Zyrës për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Arsimit, Universiteti i Prishtinës, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, GIZ-i gjerman, Empatia dhe ka për qëllim promovimin e mirëqenies, shëndetit, të drejtave dhe edukimit të fëmijëve.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.