Ministrja Nagavci priti udhëheqësin e ekipit të projektit HERAS+

16 Korrik 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është takuar me udhëheqësin e ekipit të projektit ‘Arsimi i Lartë, Kërkimet Shkencore dhe Shkencat e Aplikuara Plus (HERAS+)’, Aqim Emurli për të diskutuar zbatimin e vazhdueshëm të projektit dhe mbështetjen e përgjithshme që ky projekt ofron për tre nivelet e ndërhyrjes: nivelin e politikave, nivelin e universiteteve dhe nivelin e kërkimeve shkencore.

 

Ministrja Nagavci u informua se projekti mbështetë Kosovën për të bërë sektorin publik të arsimit të lartë dhe kërkimeve shkencore më konkurrues dhe të larmishëm në përputhje me Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe Zonën Evropiane të Kërkimit (ERA).

 

Ministrja gjithashtu, diskutoi për prioritetet e MAShTI-t për periudhën e ardhshme dhe ishte e lumtur që projekti HERAS Plus përputhet në mënyrë të shkëlqyer me këto prioritete, në veçanti çështjet që lidhen me mbështetjen institucionale dhe të politikave, reformat e arsimit të lartë, proceset e sigurimit të cilësisë, promovimin e hulumtimeve shkencore dhe inovacionit.

 

Ministrja ra dakord me z. Emurli që të ketë takime të rregullta në mënyrë që rezultatet e projektit dhe qëndrueshmëria e veprimeve të tij të sigurohet në mënyrë sistematike.

 

Projekti HERAS Plus financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkë-financohet nga MAShTI dhe implementohet nga WUS Austria, Zentrum für Soziale Innovation (ZSI) dhe OeAD.