Ministrja Hykmete Bajrami priti ambasadorin e Zvicrës në Kosovë

24 Shkurt 2020

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka pritur sot ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, me të cilin bisedoi për gjendjen në fushën e arsimit dhe programin e Qeverisë së Kosovës për ta përmirësuar këtë gjendje.

Ambasadori Jean-Hubert Lebet i uroi ministres Bajrami detyrën, ndërsa theksoi se Zvicra do të vazhdojë ta mbështesë arsimin në Kosovë, respektivisht implementimin e programit qeveritar për arsimin.
Ministrja Bajrami falënderoi Ambasadorin për mbështetjen që Zvicra ka dhënë nëpër vite në të gjitha fushat e jetës në Kosovë, e në veçanti në sektorin e arsimit. Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes së mëtutjeshme në mënyrë që të realizohet misioni për ndryshime pozitive në të gjitha nivelet e arsimit.