MASHT

Ministri Hoxhaj vizitoi Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë

27 Korrik, 2010

“Nga Mitrovica i ftoi të gjithë nxënësit e Kosovës që të aplikojnë në këtë Kolegj. Studimet këtu iu mundësojnë të rinjve të pajisen me diploma, të cilat vlejnë në tërë Evropën”, theksoi me ketë rast, Ministri i Arsmit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Enver Hoxhaj.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës Avni Kastrati dhe Ylber Hysa, koordinator i Qeverisë së Kosovës për implementimin e Strategjisë për veriun e Kosovës, vizituan Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë me ç’rast u pritën nga drejtori Paul Sudnik.

Në takimin e përbashkët, Hoxhaj dhe Sudnik bisedua për ecuritë e procesit studimorë, kushtet, programet që ofron ky institucion si dhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me funksionalizimin e tij. 

Mësimet zhvillohen në gjuhën angleze, ndërsa të drejtë konkurrimi kanë edhe studentë të vendeve të ndryshme të rajonit e të botës.

Ministri Hoxhaj theksoi se themelimi i Kolegjit të Biznesit në Mitrovicë, është në funksion të përfshirjes së sa më shumë të rinjve në Arsimin e Lartë, aq më tepër kur ky institucion ofron kushte ideale për Arsim cilësorë. Me këtë rast, ministri Hoxhaj u bëri thirrje të rinjve të Mitrovicës dhe të Kosovës që të aplikojnë në këtë Kolegj. Hoxhaj shtoi se në këtë Kolegj studentët do të aftësohen për tregun e Kosovës dhe të Bashkimit Evropian. 

“Nga Mitrovica i ftoi të gjithë nxënësit e Kosovës që të aplikojnë në këtë Kolegj. Studimet këtu iu mundësojnë të rinjve të pajisen me diploma, të cilat vlejnë në tërë Evropën”, theksoi Hoxhaj.

Të diplomuarit në këtë institucion do të mund të konkurrojnë për punësim kudo në Kosovë, por edhe në vende tjera të Evropës. Ministri shprehi besimin se së shpejti ky Kolegj do të arrijë reputacionin e Universitetit Amerikan në Prishtinë, në të cilin studiojnë të rinj nga më shumë se 20 kombe të ndryshme të botës.

Sipas Drejtorit Paul Sudnik, në afatin e qershorit, sivjet janë pranuar 85 studentë kryesisht nga Kosova, ndërkaq gjatë këtij viti akademik pritet të kemi rreth 120 studentë. Ai më tej tha se Kolegji i Biznesit në Mitrovicë, është një rast i mirë për studentë të dalluar.

Kostoja e studimit një vit akademik është 2500 euro por studentët do të kenë mundësi të përfitimit të bursave e që sipas z. Sudnik, nuk janë të pakta.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Avni Kastrati tha se ky institucion arsimor ndërkombëtarë është i një rëndësie të jashtë zakonshme për të rinjtë tanë, të cilët do të kenë rast të aftësohen në kushte të mira studimi.

Ylber Hysa, vlerësoi lartë themelimin dhe angazhimin e MASHT për funksionalizimin e këtij kolegji që është në interes të arsimimit cilësor për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Hysa theksoi se Kolegji në Mitrovicë do të kontribuojë edhe në integrimin e komuniteteve. 

Ndryshe, Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë (IBCM) është një fondacion arsimor i regjistruar ndërkombëtarisht. Kolegji udhëhiqet nga drejtori ndërkombëtar dhe ka një një bord mbikëqyrës ndërkombëtar prej gjashtë anëtarësh. Edhe mësimdhënësit janë gjithashtu ndërkombëtarë, dhe me pedagogë tjerë të përzgjedhur me kujdes nga Evropa Juglindore.

Themelimin e këtij institucioni e ka mbështetur Republika e Kosovës, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia ndërkaq implementimin projektit organizata SPARK.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.